NDI angazhon mbi 80 gra lidere lokale në Kosovë, synohet rritja e ndikimit të tyre në media

Gjatë dy javëve të fundit, NDI Kosovo ka zhvilluar një seri takimesh me mbi 80 gra këshilltare komunale dhe drejtoreshë nga 22 komuna të Kosovës, duke vënë në pah rolin e tyre të rëndësishëm në qeverisjen lokale, transmeton KLINA info.

Sipas njoftimit, diskutimet kanë nxjerrë në pah gra lidere të sigurta dhe të përgatitura, të cilat kanë artikuluar qartë prioritetet politike, kanë adresuar sfidat me të cilat përballen dhe janë angazhuar drejtpërdrejt me mediat për të rritur dukshmërinë dhe ndikimin e tyre.

Këto takime po kontribuojnë në krijimin e një baze të dhënash për gratë lidere lokale në media, një nismë që synon të lidhë ekspertizën e tyre në qeverisjen lokale me mediat kombëtare, duke mbushur një boshllëk të rëndësishëm në këtë drejtim.

NDI ka shprehur mirënjohje për mbështetjen dhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë, përfshirë Embassy of Switzerland in Kosovo, European Union in Kosovo, German Embassy Pristina, Embassy of Croatia in Pristina, Embassy of Sweden in Pristina dhe Embassy of Finland in Pristina, të cilët kanë kontribuar në diskutime dhe në rritjen e ndikimit të kësaj nisme.

Nga NDI bëhet e ditur se aktivitetet do të vazhdojnë edhe në javët në vijim, me qëllim që zëri dhe lidershipi i grave të mbeten të dukshme dhe në qendër të zhvillimit demokratik të Kosovës.

Kjo seri takimesh mbështetet nga Swiss Agency for Development and Cooperation.