Ministria e Drejtësisë: Ekstradimi i Naim Murselit në Suedi nuk lejohet për veprat që kryhen në territorin e Kosovës

I dyshuari për porositjen e vrasjes së Liridona Ademajt, bashkëshorti i saj Naim Murseli nuk do të ekstradohet në Suedi, edhe nëse një kërkesë e tillë u drejtohet autoriteteve të Kosovës. Duke iu referuar ligjit në fuqi, Ministria e Drejtësisë ka thënë qartazi se ekstradimi nuk lejohet për veprat penale që kryhen në tërësi në territorin e Republikës së Kosovës. Ndërkohë, autoritetet suedeze nuk janë përgjigjur nëse do të bëjnë kërkesë të tillë

Ministria e Drejtësisë së Kosovës u ka dhënë fund dyshimeve se Naim Murseli mund të ekstradohet në Suedi, lidhur me rastin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt.

Ministria e Drejtësisë ka sqaruar se ligji e përcakton se ekstradimi nuk lejohet për veprat që kryhen në territorin e Republikës së Kosovës.

“Sa i përket pyetjes së parë ligji në fuqi në Republikën e Kosovës e përcakton se ekstradimi nuk do të lejohet për veprat penale të kryera në tërësi në territorin e Republikës së Kosovës”, thonë nga Ministria e Drejtësisë për Express.

Sipas Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale, Nenit 6, “Ekstradimi nuk do të lejohet për veprat penale të kryera në tërësi në territorin e Republikës së Kosovës dhe mund të mos lejohet për vepra penale të kryera pjesërisht në territorin e Republikës së Kosovës”.

Murseli, i cili ka shtetësi suedeze, dyshohet se porositi vrasjen e gruas së tij, duke i premtuar 30 mijë euro Granit Plavës për ta kryer krimin e rëndë. Ndërsa, i arrestuari tjetër për këtë rast, Kushtrim Kokalla, dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale vrasja e rëndë.

Mediumi ka pyetur edhe autoritetet suedeze nëse do të përfshihen në hetime dhe nëse do të kërkojnë ekstradimin e Murselit, por kanë thënë se këtyre pyetjeve nuk mund t’u përgjigjen për shkak të rregullave të fshehtësisë.

“Ju lutemi të jeni të informuar se pyetjeve si këto, si parim i përgjithshëm, nuk mund t’u përgjigjeni për shkak të rregullave të fshehtësisë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Suedisë.

Dyshimet se Murseli mund të ekstradohet në shtetin suedez i kishte ngritur avokatja nga Suedia, Arlinda Loncari.

“Ka mundësi. Kjo nuk është folur aspak nëpër media”, ishte shprehur ajo.

Si ndodhi rasti – çka tha Gjykata kur u caktoi nga një muaj paraburgim?

Tre të dyshuarit për krimin e rëndë, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, ndodhen në paraburgim. Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Murseli dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për veprën penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.

Caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji për secilin veç e veç, Gjykata e ka arsyetuar “ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, të njëjtit mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale”.

Në këtë njoftim, Gjykata kishte treguar edhe dyshimet se si kishte ndodhur rasti.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi I ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhet në njoftim.

Si u tentua të fshihej rasti?

Ky rast fillimisht ishte kualifikuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, duke u bazuar në rrëfimin e Naim Murselit.

Në raportin 24 orësh të Policisë u tha se viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri.

“GRABITJE ME PASOJA TË VRASJES – Rr. Dlip Alshiq, Prishtinë 29.11.2023 –20:26. Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.