Marrin fund telashet me dokumente, MPB nënshkruan të mërkurën kontratën milionëshe me kompaninë gjermane

Ministria e Punëve të Brendshme ka lidhur një kontratë të vlefshme katër milionë euro për furnizim me pasaporta, letërnjoftime dhe patentë-shoferë.

Kompania gjermane “Veridos Gmbh” do të realizojë furnizimin emergjent me material me pasaporta, pasi shërbimi për lëshimin e pasaportave është ndërprerë rreth një muaj më parë si pasojë e mungesës së materialit.

Dhënia e kontratës është bërë me 9 dhjetor, kurse nënshkrimi bëhet të mërkurën.

Problemet për furnizim me këto dokumente, ministri Xhelal Sveçla i kishte lidhur me luftën në Ukrainë.

“Situata e krijuar nga lufta Rusi-Ukrainë dhe sanksionet që pësuan pastaj kanë ekspozu dobësitë ndaj sigurisë së furnizimit me lëndë të para kritike për prodhimin industrial ,duke afektuar rëndë tregjet globale. Çrregullimi me lëndë të parë ka implikuar ekonomitë botërore, duke shkaktuar shqetësim global te të gjitha kompanitë ndërkombëtare, të cilat po dështojnë në përmbushjen e kërkesat për një gamë të madhe mallrash”, kishte thënë Sveçla.