Maqedonci: Javeline tashmë fakt i kryer, jemi në pritje të ofertës nga ana e ShBA-së

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se sot ka përfunduar periudha 30 ditore e njoftimit të Kongresit të SHBA-së për kërkesën e Kosovës për të blerë sistemin anti-tank Javeline.

Përmes një postimi në Facebook ai theksoi se janë në pritje të ofertës nga ana e SHBA-së.

“I gëzohemi lajmit që sot ka përfunduar periudha tridhjetë ditore e njoftimit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth kërkesës tonë për blerjen e sistemit anti-tank Javeline, rrjedhimisht mund të vazhdojmë hapat tjerë”, ka shkruar Maqedonci.

“Proceduralisht jemi ne pritje të ofertës nga ana e ShBA-së, që pastaj bazuar në të dhe planin e zhvillimit të FSK-së të realizojmë blerjen. Javeline, sistem me të cilin do të pajiset FSK tashmë fakt i kryer”.

Ndryshe, Kosova është në proces të blerjes së 246 raketave Javelin.

Kongresi amerikan është ai që jep miratimin përfundimtar për shitjen e armëve vendeve të huaja.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës Ejup Maqedonci dhe zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit janë shprehur se synimi kësaj blerje ushtarake është përmirësimi i kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se vlera e raketave kundërtanke që Kosova dëshiron t’i blejë është 75 milionë dollarë./