LVV në Klinë viziton familjet e dëshmorëve dhe veteranëve të luftës

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Klinë, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, kanë realizuar sot vizita në familjet e dëshmorëve dhe veteranëve të luftës në Komunën e Klinës.

Gjatë vizitës në fshatin Sferkë, u takua familja e Xhem Morinës, veprimtar i hershëm i rezistencës dhe pjesëtar i Shtabit “Liria”, Brigada 122. Ai kontribuoi aktivisht në luftën çlirimtare deri në çlirimin e Kosovës, ndërsa pas luftës jetoi me dinjitet, duke refuzuar çdo privilegj.

Po ashtu, delegacioni vizitoi edhe Sali Gashin nga Poterqi i Klinës, ish i burgosur politik gjatë viteve 1998–2001, i mbijetuar i Masakrës së Dubravës, ushtar i luftës dhe sot veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga Lëvizja Vetëvendosje u shpreh nderim dhe mirënjohje e thellë për sakrificën dhe kontributin e dëshmorëve dhe veteranëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.