Lirohet Naser Kelmendi

Naser Kelmendi është liruar nga akuzat për trafikim me narkotikë me vendim të Gjykatës së Apelit me arsyetimin se nuk provohet se ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Gjykata e shkallës së parë e kishte dënuar Kelmendin me 4 vite e 8 muaj burgim në maj të këtij viti, vendim ky i marrë nga kryetarja e trupit gjykues Suzana Qerkini.

Kundrejt këtij aktgjykimi ankesë kishin parashtruar Prokuroria dhe mbrojtja me avokatin Besnik Berisha i cili kishte kërkuar nga gjykata e shkallës së dytë lirim e të mbrojturit të tij.

Departamenti Special, pas mbajtjes së seancës së kolegjit, e ka aprovuar ankesën e të akuzuarit N.K., të paraqitur përmes mbrojtësit të tij avokatit Besnik Berisha, ashtu që në bazë të nenit 363 paragrafi 1 nënpargrafi 1.3, të Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin N.L. e ka liruar nga akuza, sepse nga provat që janë administruar në shqyrtimin gjyqësor nuk provohet se ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohej me aktakuzë.” – thuhet në njoftimin e Apelit.

Seanca në Apel u mbajt me datë 31 korrik të këtij viti para kolegjit shqyrtues i cili ishte në përbërje nga Kreshnik Radoniqi – kryetar, Burim Ademi – gjyqtar raportues dhe Vaton Dërguti – anëtar i kolegjit.

Prokuroria kishte paraqitur ankesë vetëm sa i përket dënimit, gjegjësisht ka kërkuar që Kelmendit t’i shqiptohet dënim më i ashpër.

Ndërsa mbrojtja me avokatin Besnik Berisha në përgjigjen në ankesë ka pretenduar se bazat ankimore të ankesës së Prokurorisë janë të paqëndrueshme dhe duhet të refuzohen në tërësi.

Ankesë në raport me aktgjykimin ka bërë edhe mbrojtja për sa i përket shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe në këtë kontekst ka kërkuar që Kelmendi në tërësi të lirohet nga akuzat.

Historiku
Sipas dosjes së Prokurorisë, Naser Kelmendi në bashkëkryerje me dëshmitarin K2, ka bërë shpërndarjen e më shumë se 25 kilogramëve heroinë nga Bosnja në Austri.

I njëjti për këtë vepër ishte dënuar me 6 vite burgim nga gjykata e shkallës së parë në vitin 2018, kurse gjykata e Apelit e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Prokuroria e kishte akuzuar Kelmendin edhe për vrasje të rëndë, por Gjykata Themelore e kishte dënuar vetëm për pikën 8 të aktakuzës që ka të bëjë me trafikimin e narkotikëve, kurse për veprat e tjera e kishte liruar nga akuzatDepartamenti Special i Gjykatës së Prishtinës, në përbërje të Suzana Çerkini – kryetare dhe anëtarët Violeta Namani dhe Musa Konxheli, kanë shpallur aktgjykimin dënues ndaj Kelmendit në maj të këtij viti.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Naser Kelmendi pasi dëshmitari K2, nuk kishte mundur t’ia kthente shumën e të hollave prej 11 mijë eurove me kamatë e kishte urdhëruar K2 që të marrë një veturë VË-Caddy në Tuzla në Austri për të sjellë në Bosnjë një mbulesë të rimorkios si këmbim për t’ia hequr një pjesë të kamatës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi K2 kishte marrë veturën VË Caddy, siç ishte urdhëruar nga Naser Kelmendi kur kishte arritur në Austri e kishte lënë veturën në një fabrikë.

Sipas Prokurorisë me t’u kthyer gjatë natës në fabrikën ku e kishte lënë veturën kishte parë dy meshkuj që shkarkonin një sasi të madhe të heroinës të mbështjellë në formë të kubit të nxjerra nga mbulesa e brendshme e tavanit të veturës.

Sipas aktakuzës, K2 kishte shpjeguar se ‘’Jam i sigurt se sasia e drogës ishte shumë më e madhe se ajo që e kisha transportuar nga Turqia, meshkujt që po i shkarkonin më thanë se ajo ishte heroinë’’.

I njëjti akuzohet se ka kryer këto veprime në Bosnje, mirëpo shteti i Kosovës i ka lejuar që për këto akuza të gjykohet në Kosovë