LDK Dega në Klinë nominon Shqipe Pantinën dhe Astrit Deskun për deputetë

Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Klinë ka zyrtarizuar nominimin e Shqipe Pantinës dhe Astrit Deskut si kandidatët e saj për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Ky vendim shihet si një mundësi e rëndësishme për qytetarët e Klinës që të kenë përfaqësim të fuqishëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Shqipe Pantina, e njohur për angazhimin e saj të gjatë në jetën politike dhe shoqërore të Klinës dhe të mbarë Kosovës, vjen me një përvojë të konsoliduar dhe vizion të qartë për zhvillimin e vendit.

Ndërkohë, Astrit Desku paraqitet si kandidati që i përgjigjet sfidave të kohës moderne, duke sjellë me vete ekspertizë të thelluar në fushën e teknologjisë informative. Ai shihet si një mundësi për t’i hapur Kosovës horizonte të reja në epokën e digjitalizimit.

Të dy kandidatët rrjedhin nga familje me traditë të gjatë kontributi për vendin, duke shtuar besimin e qytetarëve në potencialin dhe përkushtimin e tyre.

LDK në Klinë u bën thirrje qytetarëve, anëtarëve dhe simpatizantëve të saj që t’i përkrahin Pantinën dhe Deskun, duke theksuar se përkrahja e qytetarëve është fuqia e tyre, dhe se zëri i Klinës në parlament varet nga mbështetja e tyre në këto zgjedhje.