Kush e refuzoi e kush do t’i shkojë sot në takim Kurtit?

I vetmi prej opozitarëve që do të shkojë në takimin e sotëm të thirrur nga Kryeministri Albin Kurti, është kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku e kanë refuzuar ftesën. Takimi pritet të mbahet në orën 12:00.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka dërguar ftesë për takim opozitarëve të mërkurën, menjëherë pas takimit me të dërguarin e Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ftesën e Kurtit e kanë refuzuar krerët e dy partive më të mëdha opozitare në vend, Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku.

Krasniqi e ka quajtur ftesën e Kurtit si joserioze, pa përmbajtje, pa agjendë dhe pa protokoll, duke refuzuar kështu pjesëmarrjen në takim.

Krasniqi ka deklaruar se s’do t’i shkojnë Kurtit në takim për çështje teknike, por vetëm kur të flitet për marrëveshjen finale me Serbinë.

“Vetëm pasi kërkuam sqarime, kuptuam me një fjali përmes emailit se bëhej fjalë për një temë shumë serioze – siç është Dialogu Kosovë-Serbi. Pa asnjë detaj konkret e pa specifikuar asgjë. Po jua rikujtoj që s’keni asnjë arsye që të na ftoni në takime për çështje teknike. Ndërsa, kur të ketë diskutim konkret për marrëveshjen finale, ne do të jemi aty. Ka ditë që në opinion flitet për një dokument që ju e keni në tavolinë rreth marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të ofruar nga partnerët ndërkombëtar të Kosovës”, tha Krasniqi nëpërmjet një video selfie të publikuar në faqen e tij në Facebook.

Krasniqi ka thënë se për tema të tilla, vendi i diskutimit duhet të jetë salla e Kuvendit të Kosovës, e jo zyret.

“Por, për tema të tilla, për vendime të mëdha, ju së pari duhet të bëheni serioz dhe ta kuptoni se vendi i diskutimit nuk është një zyrë, por është salla e Kuvendit të Kosovës, sepse Kuvendi i Kosovës është adresa e popullit. Prandaj, diskutimet që i keni menduar për të premten në zyrën tuaj, ju ftoj që t’i bartni në Kuvend”, tha Krasniqi.

Në këtë takim s’do të shkojë as Abdixhiku.

Zëdhënësja e LDK’së, Sibel Halimi, ka thënë se për çështjen e dialogut, që u përfol se do të diskutohej të premten në takim, Kurti duhet të raportojë vetëm në Kuvend.

“Për temën e dialogut, Kryeministri i Kosovës duhet të raportojë vetëm në Kuvendin e Kosovës. Aty LDK do t’i ritheksojë dhe qëndrimet e saja. Ky ka qenë dhe dakordimi i liderëve nga takimi paraprak…Për LDK-në, marrëveshja finale me Serbinë duhet të bëhet vetëm rreth njohjes reciproke. Në këtë marrëveshje të njohjes, rendi kushtetues, integriteti territorial e sovraniteti i vendit janë të panegociueshme.”, ka deklaruar Halimi.

Ftesën për takim të Kurtit e ka pranuar kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Kryetari Haradinaj merr pjesë të premtën në takim”, ka deklaruar zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka.

Ftesa e Kurtit për opozitarët erdhi menjëherë pas takimit të tij me të dërguarin e Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar pas takimit me Kurtin, rispërsëriti se SHBA-të mbështesin Kosovën në të gjitha aspiratat e saj euroatlantike.

“Është një partneritet i palëkundshëm ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve. Diskutuam edhe për çështjet e marrëdhënieve me Serbinë dhe implikimet rajonale nga dialogu. Diskutuam për procesin dialogut dhe se sa e rëndësishme është të rreshtoheni me vlerat evropiane në këtë kohë shumë të rëndësishme krize në kontinentin evropian. SHBA-të e mbështesin Kosovën në të gjitha aspiratat e tyre euroatlantike dhe do të shohim mundësitë për të pasur partneritet me Kosovën për ta mundësuar një gjë të tillë”, tha Escobar.

Pas takimit, Escobar ka dhënë edhe një intervistë për Kanal 10, ku tha se u ka kërkuar institucioneve të Kosovës që të shtyjnë për 10 muaj afatin për targat, por se s’mori zotim për këtë as nga Presidentja Vjosa Osmani e as Kryeministri Albin Kurti.

Escobar ka deklaruar se më e rëndësishme për Kosovën është anëtarësimi në NATO, si dhe njohja nga pesë shtetet mosnjohëse të BE’së.

Për njohjen nga Serbia, ka thënë se do të ndodhë në një fazë më vonë.

“Mendoj, se njohja do të ndodhë, do të duhet të ndodhë dikur në një fazë më vonë. Çështja është për kohën se kur do të ndodhë kjo njohje. Por, ajo që është e rëndësishme për Kosovën është që të nisni një rrugë më të qëndrueshme drejt integrimit në strukturat euro-atlantike, duke përfshirë njohjen nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së. Kjo është më e rëndësishmja që mund të nxirrni se çkado tjetër në proces”, ka deklaruar Escobar.

Ai foli edhe për propozimin franko-gjerman, për të cilin tha se e mbështesin plotësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Emisari i ShBA’së zbuloi edhe se në takimin me Osmanin kanë folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, saktësisht për disa modele evropiane se si mund të bëhet. Tha se themelimi i Asociacionit është element i rëndësishëm i marrëveshjes finale.

Për afatet kohore për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, Escobar tha se ka dëgjuar nga kolegët evropianë se kjo është çështje javësh e jo vitesh.

E për elementet e një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, Escobar tha se varen nga vetë palët, por se ShBA’të do të sigurohen që s’do të prekin pavarësinë, sovranitetin dhe funksionalitetin e pavarësisë së Kosovës.