Kurti publikon pamjet nga vendi ku u rrëmbyen policët: U sulmuan nga 15 persona, të lirohen menjëherë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar dëshmitë nga vendi ku mesditën e 15 qershorit, tre zyrtarë policorë të Kosovës, janë rrëmbyer nga forcat serbe,

Ai ka deklaruar se tre zyrtarët policorë kanë qenë te tryeza e improvizuar duke ngrënë drekë dhe në atë moment janë rrethuar nga 15 persona, të cilët dyshohet se i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer.

“Në momentin e rrëmbimit, tre policët tonë kanë qenë te tryeza e improvizuar për ngrënie, duke drekuar së bashku. Ata janë rrethuar nga 15 persona që i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Ambasadori ynë në Beograd, Jetish Jashari, sot i ka vizituar ndaras të tre policët, të cilët po mbahen peng nga Serbia. Janë tri rrëfime identike nga tre policët. Vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë. Pikërisht në atë vend ku e kemi theksuar qysh me datën 15 qershor: 1 kilometër në brendi përgjatë rrugës së bllokuar ilegale, dhe 300 metra, përkatësisht 670 metra, nga të dy anët larg kufirit e brenda Kosovës”, shkroi ai.

Më tej ai ka thënë se Kosova është në të drejtë dhe sipas tij, kjo dokumentohet nga dëshmitë që posedojnë institucionet e sigurisë, si dhe dëshmia e tre policëve.

Shefi i Qeverisë ka kërkuar lirimin e menjëhershëm pa kushte dhe të pacenuar të tre zyrtarëve policorë dhe po ashtu ka kërkuar edhe nga faktorët ndërkombëtarë që të dënohet agresioni i Serbisë.

“Njëkohësisht kërkojmë nga faktorët ndërkombëtarë, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja që ta dënojnë agresionin e Serbisë që paraqet edhe shkelje të pikës 4 të Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, nga 9 qershori të vitit 1999. Në mesditën e 14 qershorit, u ushtrua agresion i Serbisë ndaj shtetit demokratik të Kosovës, me rrëmbimin e tre zyrtarëve të Policisë sonë, thellë në brendi të territorit të Republikës”, shkroi Kurti