Kurti bën homazhe në Poklekun e Ri, në 22 vjetorin e masakrës së kryer nga forcat serbe

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë sot homazhe në Poklek të Ri të Drenasit në nderim të viktimave të masakrës së 31 majit 1998.

Sipas njoftimit të Zyrës s Kryeministrit, Kurti ka qenë i shoqëruar nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Enver Dugolli.

“22 vjet më parë, në këtë fshat ndodhën krime të tmerrshme. 300 forca të policisë speciale të Serbisë sulmuan Poklekun e Ri, duke vrarë e shkatërruar gati krejt çka kishin para syve. Dhjetë shqiptarë që ishin banorë të Poklekut të Ri, u zunë gjatë sulmit të 31 majit. Njëri prej tyre u gjet më vonë i vdekur, ndërsa nëntë të tjerë mungojnë sot e kësaj dite”, thuhet n njoftimin e qeveris.

Po ashtu në këtë njoftim , janë bërë të ditura edhe dëmet materiale që banorët i kanë pësuar në luftën e fundit.

“Përveç dëmeve në njerëz, Pokleku i Ri pësoi edhe shumë dëme materiale. Vlerësimi i bërë në vitin 1999 nga Grupi Ndërkombëtar i Menaxhimit nxori evidencën që 40% e shtëpive të Poklekut të Ri ishin dëmtuar”, thuhet në komunikatë.

Tutje në njoftim është theksuar se është koha që të shfrytëzohen të gjitha resurset për të zbardhur fatin e të pagjeturve.

“Sot Pokleku i Ri duket se e ka rimarrë veten nga dëmet materiale, por dhimbja për nëntë banorë të zhdukur të fshatit mbetet ende e pranishme. Kjo na kujton se duhet të përdorim të gjitha resurset e mekanizmat për të gjetur të dashurit e qytetarët tanë që akoma mungojnë”, thuhet aty

SHARE