Kryetari Elezaj njofton për fillimin e investimeve mbi 1 milion euro të KEDS-it në Klinë

16 projekte të reja për përmirësimin e rrjetit elektrik po implementohen nga KEDS-i në 8 fshatra të Klinës, projekte këto që kapin një shumë mbi 1 milion euro dhe parashihet të përfundojnë përgjatë periudhës 2024-2025.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social FB, kryetari i Klinës, Zenun Elezaj.

Ky është njoftimi i Elezajt:

Projektet po realizohen në Jashanicë, Siqevë, Dresnik, Gllarevë, Zabergjë, Volljakë, Sferkë dhe Rudicë, ku parashihet vendosja e 868 shtyllave elektrike të betonit dhe 12 transformatorëve.

Me përfundimin e tyre do të eliminohen edhe linjat e vjetra elektrike, të cilat kanë qenë të vendosura nëpër terrene të papërshtatshme për mirëmbajtjen e tyre nga ana e KEDS-it.
Gjatë viteve të fundit në shumë fshatra të Klinës është investuar nga KEDS-i në përmirësimin e rrjetit elektrik, për çka i falënderoj për përmbushjen e kërkesave të qytetarëve.