Kryesia e LDK-së i kërkon Këshillit të Përgjithshëm të shpallë zgjedhje në disa degë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës së kryesisë së partisë.

Në këtë mbledhje u diskutua për zhvillimet politike në vend.

“Në mbledhjen e mbajtur sot, Kryesia e LDK-së ka diskutuar për situatën e fundit politike në vend, si dhe për organizimin e brendshëm partiak”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në komunikatën e LDK-së për media, thuhet se në këtë mbledhje është diskuar edhe për zgjedhjet e brendshme në disa degë të LDK-së.

“Në bazë të raportit të Komisionit për Vlerësimin e Gjendjes së Degëve, si dhe në përputhje me Platformën politike për Fuqizimin dhe Reformimin e LDK-së, Kryesia, me unanimitet të plotë, vendosi që t’i kërkojë Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së shpalljen e zgjedhjeve në këto degë: Ferizaj, Obiliq, Shtime, Kamenicë, Kaçanik, Hani i Elezit, Gjakovë, Klinë, Prizren, Malishevë dhe Mitrovicë”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Po ashtu në këtë mbledhje u vendos gjithashtu që Këshillit të Përgjithshëm t’i kërkohet që të shpallë zgjedhjet e rregullta të Forumit të Gruas të LDK-së dhe të Forumit të Rinisë të LDK-së që duhet të organizohen dhe të përfundojnë brenda qershorit të vitit 2022.

Po ashtu, Kryesia mori vendim që të formojë Ekipin për Hartimin e Programit Politik dhe Qeverisës “Platfoma 2025”.