KQZ shpërndan materialin zgjedhor, dërgohen nëpër komuna mbi 3.6 milionë fletëvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar për përfundimin e shpërndarjes së materialit zgjedhor për zgjedhjet që do të mbahen më 12 tetor, përfshirë edhe fletëvotimet që do të përdoren në këtë proces.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, konfirmoi se materiali zgjedhor është dërguar në të gjitha komunat e vendit dhe është vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit, nga ku do të shpërndahet në Qendrat e Votimit të dielën në mëngjes.

“Sipas planifikimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë materialin zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet, të cilat do të përdoren në procesin e votimit më 12 tetor. Këto materiale zgjedhore vendosen në Qendrat Komunale të Numërimit, të vendosura në çdo komunë dhe nga aty, të dielën në mëngjes do të shpërndahen në Qendra të Votimit”, deklaroi Elezi.

Ai bëri të ditur se për raundin e parë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale janë shtypur mbi 3.6 milionë fletëvotime – nga 1.8 milionë për secilin lloj të zgjedhjeve.

Elezi gjithashtu theksoi se ky numër përfshin të gjitha format e votimit: votimin në vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, votimin për personat me nevoja të veçanta, votimin me postë dhe fletëvotimet rezervë.