Kosova nesër i mëson kundërshtarët e Ligës së Kombëve

Nesër, më 8 shkurt, do të hidhet shorti për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.

Kjo garë do të zhvillohet në pjesën e dytë të 2024-tës, konkretisht nis më 5 shtator.

Kombëtaret do të luajnë dy ndeshje në shtator, dy në tetor dhe dy në nëntor ku edhe përfundon gara në këtë cikël.

Kosova e ka zënë vendin në vazon e dytë bashkë edhe me Azerbejxhanin, Bullgarinë dhe Ishujt Faroe, në kuadër të Ligës C.

Prandaj, kjo i bie që “Dardanët” nuk do të mund të luajnë me ndonjërin nga këta kundërshtarë.

Kundërshtarë më të vështirë mund të jenë Suedia e Rumania, që janë në vazon e parë, ku kanë përfunduar edhe Luksemburgu e Armenia.

Ndërkaq, vazoja e tretë përbëhet nga Maqedonia e Veriut, Sllovakia, Irlanda e Veriut e Qiproja dhe njëra prej tyre mund t’i bie në grup Kosovës, njëjtë si Bjellorusia, Letonia, Estonia, Lituania e Gjibraltari, që gjenden në vazon e katërt.

E pikërisht, nesër kombëtarja jonë do të i mësojë kundërshtarët e saj.

Shorti pritet të hidhet nga ora 18:00 në kryeqytetin e Francës, Paris.