Klinë: Nis fushata “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Bazë Gjinore” me mesazhe fuqizuese për barazi e respekt

Në atmosferë solidariteti e përkushtimi, Zyra për Barazi Gjinore në kuadër të Komunës së Klinës hapi sot zyrtarisht fushatën ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Bazë Gjinore”.

Në këtë ngjarje morën pjesë nënkryetarja e Komunës së Klinës, znj. Marqe Tanushi Selmanaj, si dhe zyrtarja për barazi gjinore, znj. Vitore Shala, të cilat theksuan rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe angazhimit të përbashkët në luftën kundër dhunës në familje.

Të pranishme ishin gjithashtu gra nga institucione të ndryshme komunale dhe shoqëria civile, të cilat me pjesëmarrjen e tyre dhanë një mesazh të qartë: barazia gjinore dhe respekti janë themeli i një shoqërie të shëndetshme.

Pas takimit, pjesëmarrëset zhvilluan një parakalim simbolik në rrugët e qytetit të Klinës, duke bartur pankarta e mesazhe ndërgjegjësuese për parandalimin e dhunës dhe fuqizimin e grave në komunitet.

Ky aktivitet, i organizuar nga Zyra për Barazi Gjinore në bashkëpunim me Komunën e Klinës, shënon fillimin e një sërë ngjarjesh që do të zhvillohen gjatë 16 ditëve të ardhshme me qëllim rritjen e vetëdijes dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.