Klina, intensifikon përgatitjet për Festivalin folklorik “I Këndojmë Lirisë 2022”

Klina, intensifikon përgatitjet për Festivalin folklorik “I Këndojmë Lirisë 2022”

Në Klinë, janë intensifikuar përgatitjet për organizimin e Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “I Këndojmë Lirisë”, i cili tashmë është bërë tradicional, që nga paslufta, që mbahet çdo vit, për tri ditë me radhë, më 6, 7 dhe 8 qershor.

Sivjet Festivali shënon 20- vjetorin e rrugëtimit të tij. Rrjedhimisht qysh tash vërehet një angazhim i komunës, sidomos i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, e cila bashkë me Këshillin organizativ e ka barrën më të madhe të organizimit dhe mbarëvajtjes së festivalit.

Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Fatjona Gashi, theksoi se sivjet Festivali është jubilar, ndaj edhe përgatitjet për mbajtjen e tij duhet të jenë sa më të mira. “Komuna sivjet ka angazhuar edhe drejtoritë komunale në mënyrë që Festivali të jetë ashtu siç duhet. Të gjithë bartësit e detyrave e festivalit do të jenë në nivel si kurdoherë më parë. Tashmë e kemi edhe traditën e përvojën në organizimin e këtij evenimenti folklorik mbarëkombëtar. Në këtë drejtim Komuna do ta mbështes financiarisht festivalin, duke u mbështetur në vendimin e Asamblesë komunale”, theksoi drejtoresha Gashi.

Festivali Folklorik “I Këndojmë Lirisë”, përkon edhe më ditëlindjen e njërit ndër komandantët më të shquar të UÇK-së, Mujë Krasniqit-Kapuçit, i cili ishte po ashtu edhe rapsod i njohur. Kësisoj, Festivali ka karakter konkurrues, dhe Çmimi kryesor është ai i “Mujë Krasniqit”, e po ashtu ndahet edhe “Çmimi i Publikut” dhe 12 çmime të tjera. Vlerësimin, si çdo vjet, edhe sivjet e bënë juria profesionale.

Në mbledhjen e Këshillit Organizativ , u vlerësua se Festivali për çdo vit ka shënuar arritje të larta, si për nga cilësia, masivizimi dhe pjesëmarrja e rapsodëve, grupeve, ansambleve, valltarëve dhe instrumentistëve nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora.