Klentiana Morina, me titull akademik Master në Menaxhim Biznesi dhe e çertifikuar si estetiste profesionale, ka shpallur kandidaturën e saj për Asamblenë Komunale në Klinë, si pjesë e listës së Partisë Demokratike të Kosovës.
Në një njoftim publik, Morina theksoi se përvoja e saj profesionale dhe energjia për ndryshim e kanë shtyrë të bëhet pjesë e garës zgjedhore:
“Pas disa vitesh përvojë në fushën estetike, kam hapur biznesin tim Klenta Beauty Center, si një ndërthurje që përbashkon dy profesionet e mia, si menaxhere biznesi dhe estetiste. Duke marrë parasysh nevojën që ka qyteti ynë për ndryshim, në këto zgjedhje lokale kam vendosur t’i hyj garës për asamble komunale brenda siglës së PDK-së, në mënyrë që me përgatitjen dhe energjinë time t’i jap shtytje këtij ndryshimi,” u shpreh Morina.
Ajo shtoi se si asambliste synon të jetë zëri i qytetarëve të Klinës.
“Do të jem zëri juaj në adresimin e të gjitha problemeve, sfidave por edhe në prezantimin e ideve për një qytet më të mirë për të gjithë ne. Gjatë katër viteve do të punoj për ju, për ta bërë më të bukur Klinën tonë.”
Morina garon me numrin 20 në listën e kandidatëve për Asamblenë Komunale në Klinë nga PDK.