“Janë për kafe, për ju”, arrestohet shtetasi i Shqipërisë që tentoi t’i korruptojë policët e Kosovës me 500 lekë

Policia e Kosovës njofton se është arrestuar një shtetas i Shqipërisë i cili gjatë prezantimit të dokumentacionit të automjetit ka tentuar të korruptojë Policët me 500 lekë,

Sipas raportit të policisë, ngjarja ka ndodhur në Pikën Kufitare në Vërmicë, pasditën e djeshme rreth orës 15:35.

“Në pikën kufitare gjatë kontrollit, i dyshuari mashkull Shqiptar i R. së Shqipërisë i cili drejtonte kamionin Scania me targa të Shqipërisë në momentin kur ishte ofruar te kabina e kontrollit policor i njëjti ka prezantuar dokumentet e kamionit , dokumentin identifikues te tij dhe në këto dokumente kishte vendosur edhe një kartëmonedhë në shumë prej pesëqind (500) Lekëve”, thuhet në raport.

Kur policia e ka pyetur se për çfarë i ka vendosur këto lekë në dokumente, i dyshuari raportohet se është përgjigjur se “këto janë për kafe për ju”.

“Për këtë arsye i dyshuari është shoqëruar brenda stacionit policor në PKK Vërmicë dhe në konsultim me prokurorin kujdestar është iniciuar procedura për vepër penale dhe të njëjtit i janë konfiskuar përkohësisht dokumentet e kamionit, dokumenti i udhëtimit si dhe kartëmonedha e lartcekur . I dyshuari është liruar”, përfundon raporti 24-orësh./Klina.info/