IKSHPK: Nuk ka virus të Nilit Perëndimor në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se në Kosovë nuk ka virus të Nilit Perëndimor.

Megjithatë përmes një postimi në Facebook ka bërë thirrje për kujdes nga pickimi i mushkonjave.

IKSHPK-ja thotë se virusi i Nilit perëndimor, i cili tashmë është shfaqur në Ballkan, ka bërë që ekspertë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, të shtojnë gatishmërinë në parandalimin e shfaqjes së sëmundjes.

Njofton se në Kosovë nuk ka akoma raste të raportuara, por duke pasur parasysh rrezikshmërinë dhe mundësinë e përhapjes se virusit të Nilit Perëndimor, IKSHPK-ja thotë se janë duke vëzhguar situatën epidemiologjike në vendin tonë por edhe të shteteve fqinje.

“Virusi i Nilit perëndimor mund të shkaktoj sëmundje fatale neurologjike te njerëzit. Megjithëse, përafërsisht 80% e njerëzve që janë të infektuar nuk tregojnë asnjë simptomë. Virusi i Nilit perëndimor transmetohet tek njerëzit kryesisht nëpërmjet pickimit të mushkonjave. Virusi mund të shkaktojë sëmundje të rëndë dhe ngordhje tek kuajt. Vaksinat për përdorim te kuajt janë në dispozicion për përdorim por jo ende në dispozicion për tek njerëzit. Zogjtë janë bartës natyral të virusit të Nilit perëndimor. VNP mund të shkaktojë sëmundje neurologjike dhe vdekje tek njerëzit”, thuhet në njoftim.

Njoftohet se VNP-ja zakonisht gjendet në Afrikë, Evropë, Lindjen e Mesme, Amerikën Veriore dhe Azinë Perëndimore por raportohen raste edhe ne Ballkan dhe Mediteran.

SHARE