I riu vjedh telefon në një mobil shop në Pejë, pronari e kap dhe e dorëzon në Polici

Një ndër fenomenet më shqetësuese për qytetarët, janë vjedhjet që u bëhen nga persona të ndryshëm. Këta të fundit nuk hezitojnë të hyjnë me forcë dhe në mënyrë tinzare nëpër shtëpi private, banesa, institucione financiare e biznese të ndryshme.

Edhe një i ri në qytetin e Pejës ia kishte mësyrë gjatë ditës së djeshme një mobil shopi, të cilit i kishte vënë syrin që të marrë një telefon, por të mos paguajë për të.

Ngjarja ka ndodhur në një dyqan për shitjen e telefonave dhe pajisjeve tjera teknologjike në Çarshinë e Gjatë, ku një 23-vjeçar dyshohet se ka vjedhur një telefon e më pas është larguar me shpejtësi që aty.

Por pavarësisht tentativës për të ikur, atij iu vu pas pronari i dyqanit, i cili arriti që ta kap të dyshuarin dhe të njëjtin t’ua dorëzojë organeve të rendit.

I dyshuari është arrestuar dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Vjedhje’.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.