Homazh në 47-vjetorin e kalimit në amshim të ish-Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, ing. Xhafer Deva

Nga Lekë Mrijaj

Sot, më 25 maj 2025, përkujtojmë me nderë dhe përulësi 47-vjetorin e kalimit në amshim të njërit prej personaliteteve më emblematike të historisë shqiptare të shekullit XX, ing. Xhafer Deva, bir i Mitrovicës dhe i të gjithë Kosovës së Shqipërisë Etnike, një burrë i kompletuar në mendim e veprim, që tërë jetën ia kushtoi idealit madhor të bashkimit kombëtar dhe mbrojtjes së identitetit shqiptar.

Ing. Xhafer Deva nuk ishte vetëm politikan e ministër, ai, ishte një nga zërat më të kthjellët dhe të patundur të nacionalizmit shqiptar modern. Në kohë të errëta, në vorbullën e historisë së përgjakshme të Ballkanit, ai nuk u përkul para asnjë lloji perandorie, ideologjie apo force që synonte t’i shfaroste shqiptarët si komb e si kulturë. Ai, edhe mbeti i qëndrueshëm, me një vizion të qartë euroatlantik për të ardhmen e kombit tonë e Shqipërisë Etnike.

Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, ing. Xhafer Deva nuk e zgjodhi heshtjen, as neutralitetin pasiv, ai, zgjodhi rrugën e përballjes, të veprimit dhe të mbrojtjes së shqiptarëve. Si ish Ministër i Punëve të Brendshme në një qeveri të përkohshme shqiptare, ai ndërmori hapa të vështirë, shpesh të kontestuar, por të udhëhequr nga bindja se jeta, nderi dhe dinjiteti i shqiptarëve duhet të mbroheshin me çdo çmim pavarsisht sfidave…

Historia mund të gjykojë, të analizojë, të verifikojë, por nuk mund të injorojë. Ing. Xhafer Deva mbetet një figurë që nuk mund të përkufizohet me paragjykime të ngushta apo me stereotipe ideologjike. Historia e vërtetë nuk shkruhet me fantazi imagjinare, por me dokumente, dëshmi dhe vepra pozitive…

Si shqiptar i Kosovës, i lidhur fort me rrënjët e mia gjenetike e kombëtare në Zllakuqan të Klinës, e ndjej për detyrë morale dhe shpirtërore ta kujtoj me mirënjohje një akt të tij të rrallë dhe fisnik, ndërhyrja dhe angazhimi i tij shpëtuan jetën e qindra e qindra shqiptarëve të pafajshëm, në mes tyre edhe gjyshit tim, Mark (N.) Mrijaj, nga Zllakuqani, si dhe dajallarëve të mi Sadri Smajl Krasniqi, Prekë Daut Krasniqi dhe Azem Rrustë Krasniqi nga Nepolja. Ata në vitin 1940 qenë kidnapuar e mobilizuar dhunshëm nga forcat e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe ishin marrë peng, me qëllim që të dërgoheshin me forcë në vijat e frontit në Beograd për të luftuar kundër Gjermanisë së asaj kohe. Të cilët me vonē ishin zënë peng nga Gjermania (e ashtuquajtur naziste…). Ishte pikërisht ndërhyrja e ing. Xhafer Devës, në bashkëpunim me françeskanin pader Tomë Xhaja, famullitar i Kishës së Zllakuqanit, që i nxori nga errësira afro pesvjeçare drejt dritës së jetës. Ky akt është dëshmi se Deva nuk ishte vetëm burrë shteti, por edhe njeri i zemrës e i ndërgjegjes.

Pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, ai nuk u ndal së vepruari. Në mërgim – në Siri, Egjipt dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – ai nuk pushoi së qeni zëri i Kosovës dhe i Shqipërisë. Si një intelektual e poliglot dhe me penë e mendim të mprehtë, ai loboi në forumet ndërkombëtare, duke e mbajtur të gjallë çështjen shqiptare dhe të drejtën e patjetërsueshme të bashkimit kombëtar.

Sot, në këtë përvjetor përkujtimor, është detyrë e çdo shqiptari që ndjen peshën e përgjegjësisë historike, të mos e harrojë apo keqinterpretojë figurën e Xhafer Devës. Ai, i përket kujtesës sonë kolektive dhe duhet të zërë vendin që i takon në panteonin e burrave të kombit që në kohë fatale ndezën flakën e shpresës dhe mbrojtën qenies shumëdimensionale shqiptare.

Lavdi përjetë jetës dhe veprës së Xhafer Devës!