Historia dhe krenaria e Kosovës”, Kryetari Elezaj udhëheq nderimet solemne në Klinë

Zenun Elezaj, kryetari i Komunës së Klinës, ka udhëhequr aktivitetet solemne për shënimin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Ceremonia nisi me intonimin e himnit shtetëror dhe ngritjen e flamurit para objektit të Komunës, ku morën pjesë zyrtarë lokalë, veteranë të luftës, përfaqësues të OVL-UÇK-së, familjarë të heronjve dhe qytetarë.

Statusi i plotë:

HOMAZHE DHE NDERIME PËR 18 VJETORIN E PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Aktivitetet për shënimin e tetëmbëdhjetëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës i kemi nisur me intonimin e himnit shtetëror dhe ngritjen e flamurit para objektit të Komunës.

Së bashku me mixhën Halil Krasniqi, babanë e komandantit Mujë Krasniqi, nënkryetarin Fadil Gashi, kryesuesin e Kuvendit të Komunës, Enver Berisha, bashkëpunëtorë të komunës, anëtarë të kuvendit, komandantin e Stacionit të Policisë në Klinë, toger Enis Lluka, përfaqësues të OVL-UÇK-së, veteranë të luftës, familjarë dhe qytetarë, kemi bërë homazhe dhe kemi vendosur kurora lulesh pranë shtatores së Komandant “Kapuçit”, Mujë Krasniqit, si dhe te kompleksi memorial “Kodra e Kuqe” në Grabanicë.

Po ashtu, kemi mbajtur seancë solemne të Kuvendit të Komunës.

Data 17 shkurt 2008 do të mbetet e skalitur përgjithmonë në memorien e këtij brezi që pati fatin ta përjetojë këtë kohë historike, por edhe në kujtesën e të gjithë brezave që do të vijnë pas nesh, si pikë kulmore dhe referencë e rrugëtimit të popullit tonë deri në ditët e sotme.

Tashmë, pas përfundimit të aktiviteteve të planifikuara, jemi nisur për në Prishtinë, për të marrë pjesë në marshin protestues “Drejtësi, jo politikë”, në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.

Urime Dita e Pavarësisë!