Gjykimi për krime lufte në Istog, dëshmitari thotë se ishte torturuar nga i akuzuari dhe katër serbë të tjerë

Dëshmitari Zef Malësia thotë se ishte ndaluar nga pesë serbë dhe prej tyre kishte marrë goditje gjithandej trupit, duke e torturuar pa ndalur 20 minuta. Ai këtë deklarim e bërë të enjten, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, gjatë shqyrtimit gjyqësor ndaj Caslav Joliç, i cili po akuzohet për krime lufte.

“Diku rreth 20 minuta ka zgjat torutura me grushta e shkelma”, tha dëshmitari Malësia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht dëshmitari Malësia sqaroi se kishin qenë dy gazetarë ndërkombëtare që kishin insistuar t’i përcjellin tek vendi që quhet “ Shpija Vejushëms” ku ishte rrëzuar një helikopter i forcave serbe dhe me të mbërri në atë vend kishin dal nga ajo shtëpi 5 serbë.

Dëshmitari Malësia deklaroi se nga 5 serbë, 2 ishin të veshur me rroba të policisë serbe përfshire edhe të akuzuarit Joliç, kurse tre persona të tjerë ishin të veshur me rroba civile, duke shtuar po ashtu se asnjëri nga ta nuk kishte armë të gjata.

Goditje më të rëndë dëshmitari Malësia tha se e kishte marrë nga tani i akuzuari Joliç, ku tha se e kishte goditur në kokë aq fortë sa që e kishte humbur vetëdijen tërësisht.

Tutje, dëshmitari Malësia tha se dyshon se 5 serbët ishin nën ndikimin e alkoolit pasi që kur e goditnin atë edhe vet rrëzoheshin në tokë.

Lidhur me këtë situatë tha se dy gazetarët prezent kishin botuar një artikull për ngjarjen që i kishte ndodhur aty.

Pas kësaj rrethane dëshmitari Malësia tha se dy ditë me vonë ishte ftuar për në stacionin policorë në qytetin e Istogut, ku pasi që kishte mbërritur ishte ulur në korridor dhe gjatë qëndrimin dy orë në atë stacion kishte pranuar goditje nëpër këmbë nga policët serbë.

Në këtë stacion dëshmitari Malësia tha se e kishte parë të uniformuar me rroba të policisë edhe të akuzuari Joliç .

Më pas dëshmitari Malësia deklaroi se pas këtyre probleme me serbë ishte larguar së bashku me familjen e tij nga Kosova.

Seanca vijoi me marrjen në pyete të dëshmitarit Malësia nga mbrojtësi i të akuzuarit Joliç, avokati Miodrag Berklaq i cili fillimisht pyeti dëshmitari se a ka dhënë deklaratë edhe në polici dhe në prokurori, dëshmitari Malësia pohoi se ka dhënë deklaratë dhe në polici dhe prokurori.

I pyetur nga avokati Berklaq se pse nuk e ka paraqitur rastin në Këshillin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut menjëherë pas luftës por pas 20 vitesh, dëshmitari Malësia tha se e kishte paraqitur rastin pasi që ishte aprovuar ligjin për krime lufte nga Kuvendi i Kosovës.

Tutje, i pyetur nga avokati Bërklaq se si është e mundur të mos njihnit askënd tjetër nga familja e të akuzuarit Joliç kur në deklaratë e dhënë në polici sipas tij, ka thënë se e njihte nga fëmijëria të akuzuari, dëshmitari Malësia tha se nuk i ka interesuar të njoh anëtaret tjerë të familjes.

Gjithashtu avokati Bërkaq ballafaqoi dëshmitari Malësia me deklaratë e dhënë në polici, ku kishte thënë se në ditë kritike kur kishin dal nga shtëpia i kishte identifikuar 4 nga 5 serbët, kurse sot ka identifikuar vetëm dy.

Dëshmitari Malësia tha se për emrat Dark Pecinoviq dhe Millosh Jolic nuk i ka përmendur dhe nuk mund ta dije se si i kanë shënuar zyrtarët policorë këta emrat në deklaratën e tij të dhënë në polici.

Tutje avokati Bërklaq e ballafaqoi edhe me një pjesë tjetër të deklaratës ku dëshmitari Malësia në polici kishte thënë se të goditurën në koke e kishte marrë nga Dulle dhe jo i akuzuari Joliç, kurse në prokurori ka thënë Joliç.

Dëshmitari Malësa tha se i qëndron prapa deklaratës të dhënë në prokurori dhe sot në gjykatë se Joliç e kishte goditur në kokë dhe prej të goditurës së tij kishte humbur vetëdijen.

Po ashtu avokati Bërklaq vazhdoi me ballafaqimin e deklaratës së dhënë në prokurori, ku dëshmitari Malësia kishte deklaruar se të goditurat në stacionin policor në Istog i kishte marrë nga i akuzuari Joliç kurse sot gjatë gjykimi nuk përmendi të njëjtin.

Dëshmitari Malësia tha se nuk e kanë pyetur për këtë rrethanë andaj edhe nuk ka e përmendur të akuzuarin Joliç.

Në fund pas mbarimit të pyetjeve nga avokati Bërkaq i akuzuari Joliç i pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli se a ka pyetje karshi dëshmitari Malësia , Joliç iu drejtua me fjalët “se si mund të kthehet sonte në shtëpi pas tërë atyre të pavërtetave”.

Mirëpo gjykatësi, Konxheli i tërhoqi vërejtjet të akuzuarit Joliç se nuk lejohen komente por vetëm pyetje, kurse i akuzuari Joliç deklaroi se nuk ka pyetje.

Me përfundimin e orarit të punës përfundoi edhe seanca e sotme e radhës pritet të vazhdoi të nesërmen me 30 qershor.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 18 nëntor 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Caslav Jolic me arsyetimin se gjatë kohës së luftës në Kosovës prej muajit janar 1998 deri më 21 qershor 1999, në territorin e Komunës së Istogut në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor ose shëndetit kundër popullsisë civile që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt për shkaqe që lidhen me luftën.

Sipas aktakuzës, në muajin maj të vitit 1998 në lagjen Bllagaq të fshatit Gurakoc ishte rrëzuar një helikopter i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe për këtë arsye i dëmtuari Zef Malsia po i shoqëronte për tek vendi i ngjarjes dy gazetarë ndërkombëtarë, njëri anglez e tjetri belg së bashku me një përkthyese shqiptare dhe me të arritur tek vendi i ngjarjes, nga shtëpia e familjes së Rosa Pejcinovic dalin 5 persona të veshur me uniforma të policisë serbe, Radule (Dule) Pejqinoviq, Caslav Joliq, Darko Pejqinoviq, Milosh Jolic dhe një person tjetër i paidentifikuar, të cilët të dëmtuarin e kishin akuzuar se pse i kishte sjellë gazetarët e huaj tek vendi i ngjarjes, dhe për këtë arsye e sulmojnë fizikisht.

Aktakuza thotë se dy prej policëve të uniformuar e kishin kapur për krahë dhe në prezencë të gazetarëve kishin filluar ta godisnin me grusht dhe shqelma për një periudhë kohore rreth 20 minuta derisa në një moment i pandehuri i identifikuar me nofkën “Dulle”, e kishte goditur me boks në kokë, me ç’rast i dëmtuari kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar në tokë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, të cilat i kishte mjekuar në kushte shtëpiake, pastaj gazetarët e kishin larguar nga vendi i ngjarjes dhe ashtu të gjakosur e kishin kthyer në shtëpi në Gurakoc, kurse pas disa javësh si rezultat i luftës i dëmtuari ishte larguar nga Kosova.

Tutje sipas aktit akuzues, rreth datës 15 mars 1998 derisa i dëmtuari Naim Ferati po pinte kafe në restorantin “Shija” në Gurakoc, i shoqëruar nga Shemsi Kabashi pronari i restorantit, Mujë Hajzeraj, Refik Hajzeraj dhe Nue Pepaj, kishin shkuar 5 policë serbë dhe e kishin kapur për qafe duke e tërhequr zvarrë e kishin qitur jashtë lokali dhe që të pestit e sulmojnë fizikisht duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.

Prej tyre, aktakua thotë se polici me emrin Rade Pituliq e kishte goditur disa herë me tytë të automatikut në kokë, duke ia mbuluar tërë trupin me gjak pastaj duke e tërhequr zvarrë e kishin dërguar në stacion policor në Gurakoc, në ato momente ngjarjen e kishte parë i dëmtuari Nexhmedin Curri pasi që edhe ai ishte rrahur nga i njëjti grup i policëve, me të dërguar në stacion të dëmtuarin Naim Ferati e paralajmërojnë se deri në ora 17:00 do të ekzekutohej dhe vazhdimisht ishte nën shoqërinë e policëve Halil Kovaqeviq dhe Popoviq.

Gjithnjë sipas aktakuzës, aty pastaj kishte ardhur një epror polic i quajtur Gruica Veloviq dhe e kishte liruar të dëmtuarin nga stacioni i policisë, pastaj me ndihmën e disa fqinjëve të tij kishte arritur që të shkojë në spitalin e Istogut, ku e kishte mjekuar doktori Xhevat Avdijaj, kurse më 28 mars 1999 ishte urdhëruar nga policia serbe që ta lëshojë shtëpinë sikurse çdo banor tjetër i fshatit dhe ishte nisur për në Shqipëri, ku gjatë rrugës prapë ishin maltretuar dhe plaçkitur nga ana e forcave serbe, ndërsa si pasojë e luftës ka pësuar dëme material në vlerë prej 50 mijë marka gjermane.

Më pas, në aktakuzë thuhet se rreth 15 marsit 1998, i dëmtuari Nexhmedin Curri ishte nisur nga Gurakoci për në fshatin Vrellë të Komunës së Istogut për të marë familjen e tij, ku kishte arritur në pikën e kontrollit policor në fshatit Gurakoc, ishte ndalaur nga ana e policisë dhe dy prej pjestarëve të policisë, njëri i njohur me nofkën “Llaza” dhe tjetri i paidentifikuar kishin hyrë me dhunë në veturë dhe kishin kërkuar nga i dëmtuari që t’i dërgonte deri tek shtëpia e personit me pseudonimin “Mala”.

Pastaj, aktakuza thotë se meqenëse i dëmtuari iu kishte thënë se nuk ia dinte shtëpinë atij personi, të njëjtit kishin kërkuar nga i dëmtuari që t’i kthejë në qendër të fshatit Gurakoc, saktësisht tek dyqani ku kishte punuar personi me emrin “Sllavisha”, pastaj me të arritur para shitores e cila ishte në afërsi të pikës së kontrollit të policisë personi me emrin Rade Pituliq iu ishte drejtuar të pandehurve me fjalët “Se si po shëtiteni ju me iredintistin”, kurse personi me pseudonimin “Joliqi” e kishte nxjerrë nga vetura të dëmtuarin duke e goditur me kondak të armës automatike dhe nga aty kishte tërhequr zvarrë duke e dërguar në një lokal aty afër dhe kishte vazhduar duke e rrahur derisa kishin ndërhyrë disa policë të tjerë dhe e kishin nxjerrë të dëmtuarin nga lokali në gjendje të përgjakur, me dhëmbë të thyer.

Ndërsa, i pandehuri Jolic thuhet se i kishte thënë të dëmtuarit “Nuk je në Kosovë por je në Serbi, këtu është Serbia e madhe dhe se këtu nuk flet Ibrahim Rugova, por Millosheviqi”, kurse i dëmtuari ashtu në gjendje të përgjakur e merr veturën dhe largohet nga fshati Gurakoc dhe gjatë largimit kishte parë se si policët serbë e kishin rrahur të dëmtuarin Naim Ferati, ndërsa kishte vazhduar rrugën për në shtëpinë e tij dhe pastaj ishte larguar për në Mal të Zi prej ku ishte kthyer në Kosovë pas përfundimit të luftës.

Me ketë, Calsav Jolic akuzohet se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e ndëshkueshme sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohën e kryerjen së veprës penale. /BetimipërDrejtësi