Gjakovë – ‘Avullohen’ rreth 3 mijë litra naftë në tre QMF

Rreth 3 mijë litra naftë janë vjedhur në tri Qendra të Mjekësisë Familjare (QMF) të komunës së Gjakovës, gjatë ditëve të fundit.

Vjedhja ka ndodhur në QMF-të e fshatrave Berkoc, Skivjan dhe Cermjan, nga 1 mijë litra në secilën QMF, ndërsa sipas Drejtorisë së Shëndetësisë në Gjakovë, gjatë ditës së djeshme është kuptuar për vjedhjen.

Drejtoresha e Shëndetësisë, Afërdita Spahiu Shllaku për KALLXO.com, ka thënë se me rastin janë duke u marrë Prokuroria dhe Policia.

Sipas saj, në lidhje me rastin janë intervistuar përgjegjësit e QMF-ve në këto fshatra, si dhe furnizuesit e naftës.

“Deri më tash nuk kemi ndonjë njoftim zyrtar nga Policia e Kosovës se a janë identifikuar të dyshuarit për vjedhjen por e dijmë që për momentin rasti është duke u hetuar nga Policia dhe Prokuroria”, ka thënë Spahiu Shllaku përmes telefonit.

Ndërsa zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj, shkurtimisht ka thënë se hetimet janë duke u zhvilluar në vazhdimësi dhe për momentin nuk të identifikuar.

“Hetimet janë duke u zhvilluar në vazhdimësi, sipas raporteve deri më tani, janë vjedhur nga rreth 1 mijë litra në tre pika të QMF-ve”, ka thënë shkurtimisht Xhurkaj.

Nafta në këto QMF përdoret për ngrohje, ndërsa është kuptuar që është ‘zhdukur’ në momentin kur është dashur të ndizet ngrohja.