FUNKSIONALIZOHET SHËRBIMI PNEUMOFIZIOLOGJIK NË QKMF “NËNË TEREZA”, KLINË

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof.Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, z. Agron Bacaj dhe bashkëpunëtorë të tjerë kanë vizituar Qendrën e Mjekësisë Familjare” NËNË TEREZA” në Klinë, për të parë nga afër funksionalizimin e shërbimit të Pneumofiziologjisë në kuadër të Projektit të mbikëqyrjes së tuberkulozit dhe sëmundjeve kronike mushkërore në Komunën e Klinës i mbështetur nga Fondi Global, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë, CDF, KEA.

Me këtë projekt, bëhet decentralizimi i shërbimeve mjekësore për sëmundjet e tuberkulozit, HIV dhe malaries, nga niveli sekondar në kujdesin primar shëndetësor.

Shërbimet mjekësore për pacientët dhe këshillat për familjarët e tyre do të ofrohen nga specialistët e pulmologjisë të angazhuar në këtë projekt, në QKMF në Klinë.

Funksionalizimi i këtij shërbimi do të ndikojë në rritjen e progresit në luftën kundër tuberkulozit, i cili bazohet në uljen e numrit të prekurve nga kjo sëmundje ngjitëse si dhe rritjen e vetëdijesimit të qytetarëve për kujdes ndaj kësaj sëmundjeje.