Fillon peticioni për faljen e Suzanës që vrau burrin e saj në Francë

Ka filluar mbledhja e nënshkrimeve për faljen e Suzana Zogiani-Sekiraqa që e kishte vrarë burrin e saj duke e goditur me sëpatë pasi ky i fundit kishte ushtruar dhunë mbi të.

“Procesi i gjykimit ndaj saj nuk ishte i rregullt, ankesat nuk u morën parasysh, e dënimi ishte maksimal”, thuhet mes të tjerash në peticion.

Ndërkohë që është kërkuar nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ta falë rastin e Zogiani-Sekiraqës.

Po ashtu edhe grupi “Haveit” ka kërkuar liri për Suzanën.

“Djallëzuar me mprehtësinë e britmave të ngujuara brenda vetës, gati… Liri për Suzanën”, thuhet në fotografinë e postuar në faqen e tyre në Facebook, ndërkohë që në duar mbajnë thika e sëpata.

Suzana për Kohën ka thënë se vrasjen e kishte kryer në gjendje të tronditjes së thellë, pasi që e kishte parë të ndjerin teksa abuzonte me djalin e tyre.

Zogiani-Sekiraqa e konsideronte të padrejtë dënimin prej 25 vjetësh burgim, pasi sipas saj, trupi gjykues nuk i ka marrë parasysh fare dëshminë e saj e të djalit për abuzimin.

Edhe ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se përderisa e ka dëgjuar rastin e Suzanës, e ka kuptuar për padrejtësitë që po ndodhin dhe po bëhen në sistemin e drejtësisë në Kosovë. /

SHARE