Familja Bilalli në Pejë hap dyert e mortit, Prokuroria me detaje për aksidentin me tren ku vdiq 35 vjeçari

Armend Bilalli nga Peja, është viktima e aksidentit të sotëm në mes të trenit dhe automjetit në Videjë të Klinës.

I ndjeri, Armend Bilalli 35 vjeçar, ishte arkitekt në fushën e Interierit dhe Dizajnit, ndërsa në momentin kritik të aksidentit ishte me detyrë pune.

Familja Bilalli në Pejë ka hapur tashmë dyert e mortit, derisa ende nuk dihet se orari i ceremonisë mortore të të riut, meqë trupi i pajetë ndodhet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Prokuroria Themelore e shtetit në Pejë, nëpërmjet zëdhënësit Shkodran Nikqi, është deklaruar për rastin.

‘Me tu raportuar rasti, Prokurori i Shtetit, ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Urdhërin e kemi dërguar edhe verbal edhe me shkrim. Pasi që të përfundon autopsia, trupi do tu dorëzohet familjarëve për ceremoninë e varrimit.’-deklaroi Nikqi gjatë mbrëmjes në ‘RADIO 1’, përderisa burime jozyrtare thonë se autopsia pritet të zhvillohet herët në mëngjes, për faktin se në momentet e para të ngjarjes kanë munugar të dhënat e plota të viktimës.

I pyetur për fatin e drejtuesit të trenit, Nikqi ka thënë se i njejti është lënë i lirë.

‘Drejtuesi i trenit nuk është ndaluar meqë nuk ka elemente të veprës penale.’-konfirmoi Nikqi për ‘RADIO 1’.

Vdekja e të riut u konstatua në Spitalin e Përgjithshëm Rajonal të Pejës, ku i njejti u dërgua, por që fatkeqësisht thuhet se nuk arriti ti mbijetojë plagëve nga lëndimet.

Ndryshe, fqinjët, të ndjerit, Bilallin e përshkruajnë dhe kujtojnë tashmë si djalosh të sjellshëm, punëtorë e të respektuar.

Ngjarja e rëndë ka prekur tërë qytetin e Pejës.