Elezaj në mbështetje të grave sipërmarrëse: Nënshkruhet marrëveshja e rëndësishme në Klinë

Kryetari, Zenun Elezaj ka njoftuar se Komuna e Klinës dhe PREDA Plus kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi për zbatimin e projektit “E ARDHMJA E SAJ, Fuqizimi i Grave Sipërmarrëse në Kosovë”.

Projekti synon aftësimin dhe mbështetjen e bizneseve të reja në pronësi të grave, përmes ngritjes së kapaciteteve, planifikimit strategjik dhe krijimit të rrjeteve mbështetëse, shkruan Klina info.

Nisma financohet nga Ministria Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), zbatohet nga PREDA Plus në partneritet me WEntrepreneur dhe me mbështetjen e Arbeiter Samariter Bund (ASB) Köln.

Elezaj falënderoi partnerët për bashkëpunimin, duke theksuar se Komuna e Klinës mbetet e përkushtuar ndaj çdo iniciative që fuqizon qytetarët dhe promovon barazinë gjinore dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Statusi i plotë:

Komuna e Klinës dhe PREDA Plus nënshkruajnë Memorandum për fuqizimin e grave sipërmarrëse

Sot, bashkë me drejtorin e QPS-së, Ilir Bacaj, pritëm në takim drejtorin e projektit në PREDA Plus, Valentin Hoxha, me të cilin nënshkruam Memorandumin e Bashkëpunimit për realizimin e projektit “E ARDHMJA E SAJ, Fuqizimi i Grave Sipërmarrëse në Kosovë”. Ky projekt synon aftësimin dhe pajisjen e bizneseve të reja në pronësi të grave.

Projekti financohet nga Ministria Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), zbatohet nga organizata joqeveritare PREDA Plus, në partneritet me WEntrepreneur dhe me mbështetjen e Arbeiter Samariter Bund (ASB) Köln.

Përmes këtij projekti do të fuqizohen gratë në Kosovë duke zhvilluar aftësitë e tyre në biznes, duke krijuar rrjete mbështetëse dhe duke nxitur një mjedis të favorshëm për pjesëmarrjen ekonomike të grave.

Fokusi do të jetë në planifikimin strategjik, ngritjen e kapaciteteve dhe krijimin e hapësirave të dedikuara, ku gratë sipërmarrëse mund të lidhen, të mësojnë dhe të zhvillojnë bizneset e tyre, duke kontribuar në barazinë gjinore dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

E falënderoj z. Hoxha dhe autoritetin zbatues të projektit për bashkëpunimin. Komuna e Klinës mbetet e hapur dhe e gatshme për çdo iniciativë që synon aftësimin e qytetarëve në fusha të ndryshme, duke përmbushur me përkushtim të gjitha obligimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje.