Elezaj: Arsimi është prioriteti ynë, do të vazhdojmë me projekte të reja për shkollat

Në prag të 7 Marsit, ditës së Mësuesit, në Komunën e Klinës janë organizuar aktivitete të veçanta për nder të arsimit dhe mësimdhënësve, shkruan Klina info.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, së bashku me drejtorin e Arsimit Qemajl Sejdija, kryesuesin e Kuvendit Enver Berisha, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë, morën pjesë në shënimin e Ditës së Shkollës në SHFMU “Ali Krasniqi” në Ujmirë.

Në këtë aktivitet u bë edhe zbulimi i bustit të rinovuar të dëshmorit të kombit Ali Krasniqi, emrin e të cilit e mban me krenari kjo shkollë.

Ndërkohë, manifestime festive u zhvilluan edhe në SHFMU “Xhafer Gashi” në Përçevë, ku nxënësit kishin përgatitur një program artistik me poezi, këngë dhe valle.

Sipas kryetarit Elezaj, shkolla në Ujmirë ka një traditë të gjatë në arsim, nga e cila kanë dalë shumë gjenerata të suksesshme dhe të edukuar në frymë patriotike. Ndërsa shkolla në Përçevë, edhe pse e themeluar si institucion më vete vetëm para disa vitesh, po shënon rezultate të mira falë përkushtimit të mësimdhënësve dhe stafit drejtues.

Statusi i tij i plotë:

Sot shënohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit. Meqenëse këtë vit kjo datë bie në fundjavë, dje dy shkolla të komunës sonë kremtuan ditët e tyre në një atmosferë të veçantë.

Së bashku me drejtorin e Arsimit, Qemajl Sejdija, kryesuesin e Kuvendit, Enver Berisha, mixhën Halil Krasniqi, bashkëpunëtorë, drejtorë shkollash, mësimdhënës, veteranë të arsimit, veprimtarë të çështjes kombëtare, prindër dhe nxënës, morëm pjesë në shënimin e Ditës së SHFMU “Ali Krasniqi” në Ujmirë.

Me këtë rast u bë edhe zbulimi i bustit të rinovuar të dëshmorit të kombit Ali Krasniqi, emrin e të cilit me krenari e mban kjo shkollë.

Po ashtu, dje në një manifestim me vargje poezie, këngë dhe valle të përgatitura nga nxënësit, u shënua edhe dita e SHFMU “Xhafer Gashi” në Përçevë.

Shkolla në Ujmirë ka një traditë të gjatë dhe të pasur në arsim, nga e cila kanë dalë shumë gjenerata të edukuar në frymë patriotike dhe të suksesshëm në fusha të ndryshme. Ndërsa shkolla në Përçevë, edhe pse e themeluar si shkollë më vete para disa vitesh, po dëshmon çdo vit rezultate të shkëlqyera falë përkushtimit dhe profesionalizmit të mësimdhënësve dhe stafit menaxhues.

Duke e ditur se arsimi është një nga prioritetet e qeverisjes sonë, në koordinim me DKA kemi planifikuar projekte të rëndësishme dhe të nevojshme për këtë vit dhe për vitet në vijim në sektorin e arsimit.

Urime Dita e shkollës!
Urime 7 Marsi, Dita e Mësuesit për të gjithë mësimdhënësit!