Dy të mitur në Klinë i hyjnë dajak 16-vjeçarit me grushte e boks hekuri, përfundojnë në pranga

Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë,

Një rast i tillë ka ndodhur sot në rrugën “Bill Clinton” në Klinë, ku dy persona janë përfshirë në një konflikt verbal me një tjetër që eskaloi në dhunë brutale.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se dy të dyshuarit, të mitur kanë sulmuar një bashkëmoshatar me grushte e boks hekuri, ku për pasojë i kanë shkaktuar lëndime trupore.

Posa rasti është denoncuar, të njëjtat burime thonë se Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë marrë informacionet e para dhe janë arrestuar të dyshuarit.

I riu që pësoi plagë u dërgua për trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës, ndërsa të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratë para hetuesve.

Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të njëjtit janë dërguar në mbajtje dhe ndaj tyre është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”.