Dje ishte një ditë shumë e rëndë për të gjithë Shqiptarët

Shkruan: Don Lush Sopi

Ishte shumë e vështirë për të përcjellur dhe për të ndëgjuar DEPUTETËT E KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS.
Fjalori i përdorur nga DEPUTETËT, pa dallim, ishte i tmerrshëm, zhgënjyes dhe trishtues! Por, mbetet në ndërgjegjën e tyre.

Ajo që të tmerron dhe të trishton edhe më shumë, janë komentet në rrjetet sociale dhe portalet e ndryshme, ku skajshmërisht përdoret fjalori, i cili, asesi nuk mund të pranohet apo të justifikohet, nga askush.
Sharjet, fyerjet, përbuzjet, nënçmimet, shpifjet, nuk i bëjnë askujt nderë. Janë në dëmë të madh të të gjithëve, pa dallim.

Edhe një gjë më trishtoj.
Sikur nuk mjaftuan gjithë ato sharje, fyerje dhe përbuzje të ndërsjellta, mes simpatizantëve të taboreve politike, por disa shkuan aq larg, sa që, gjetën guximin dhe forcën për të ofenduar edhe AMBASADORIN E SHTETEVE TË BASHKUARA z. Philip S. Kosnett!!!
Pavarësisht rrethanave dhe situatave të vështira politike të Kosovës, çfardo qofshin ato, kjo nuk guxon të ndodhë. Kemi të drejtë të shprehim mendimin tonë, të kërkojmë të drejtën tonë, sidomos kur është në pyetje SHTETI YNË-KOSOVA, por të fyhet, të përbuzet dhe të nënçmohet një zyrtar i SHBA-së, është e patolerueshme dhe e pajustifikueshme. Përse nuk guxon të ndodhë kjo, besoj të gjithë e kemi të qartë. Pa SHBA-në, nuk di a do të kishte ndodhur, apo kur do të kishte ndodhur (gjë që nuk e besoj), çlirimi i Kosovës nga Serbia. Pa SHBA-në, do të ishte e pamundur të shpallim KOSOVËN tonë të dashur SHTET SOVRAN DHE TË PAVARUR, e besa, as që kemi mundësi e potencial për ta mbrojtur KOSOVËN SHTET SOVRAN, pa ndihmën e SHBA-së.
Prandaj, për jetë FALENDERIM DHE RESPEKT për SHBA-në.

Një shkrimtar shkruan:
“Me hesht për vedi- është thjeshtësi.
Të mos folësh fjalë të panevojshme – është pendim.
Të heshtësh për gabimet e të tjerëve – është dashuri.
Me hesht në kohë dhe vende të caktuara – është urtësi, mençuri.
Të heshtësh në sprova – është heroizëm.
Përherë të heshtësh – është shenjë e shenjtërisë”.

Këto vlera duhet të karakterizojnë jetën tonë, veprimet dhe sjelljet tona.
Çfarë mund të arrij njeriu i cili posedon këto vlera apo virtyte, do ta ilustroj me një shembull nga Shkrimi Shenjt.
Në Gabaon, Zoti iu duk Salomonit natën në ëndërr e i tha: “Kërko çfarë do që të të jap unë”! Salomoni tha: “O Zot, Hyji im, ti e bëre mbret shërbëtorin tënd në vend të babait tim, Davidit. Mirëpo, unë jam i ri dhe nuk di si duhet mbretëruar. Shërbëtori yt është në mes të popullit që ti e ke zgjedhur për vete. Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër që të dijë të mësoj, që të dijë ta gjykojë popullin tënd e të dij ta dallojë të mirëm prej së keqes. Sepse, kush është ai që do të mund ta gjykojë popullin tënd”?
Zotit i pëlqeu kërkesa e tillë që Salomoni i bëri dhe Hyji i tha Salomonit: “Pasi ti kërkove këtë gjë dhe nuk kërkove për vete as jetë të gjatë, as pasuri, as jetën e armiqve të tu, por kërkove urtësinë për të bërë drejtësi, ja, po bëj ashtu siç kërkove ti: po të jap mendje të kthjellët e të kuptueshme, sa të tillë nuk e ka pasur askush para teje dhe s’do ta ketë askush pas teje. Por edhe ato që ti nuk i kërkove, po t’i jap unë, do të jap pasuri e lavdi saqë s’ka për të qenë askush i ngjashëm me ty ndër mbretër gjatë gjithë jetës sate”(1Mbr 3,5-13).

Uroj që udhëqësit shtetëror dhe politik, të kërkojnë ate që kërkoj Salomoni, e të mund ta udhëheqin SHTETIN TONË dhe popullin tonë, drejtë një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Të ndarë dhe të përçarë, kjo nuk mund të arrihet nga askush.
Ndërsa ne, qytetarët e Republikës së Kosovës, të kuptojmë se me sharje, fyerje, ofendime, nënçmime, shantazhime dhe kërcnime, vetëm e rëndojmë dhe keqësojmë gjendjen shumë të tencionuar dhe të armiqësuar, e cila po na shqetëson të gjithëve pa masë.

Njeri të përsosur nuk ka, njeri pa gabime e dështime nuk ka, duke filluar nga vetvetja.
Prandaj, mos ta kërkojmë SHENJTËRINË apo PËRSOSMËRINË te askush, sepse ate nuk do ta gjejmë.
Të gjithë jemi mëkatarë dhe kemi nevoj për pendim dhe kthim kah Zoti, sepse nëse jetojmë në armiqësi njëri me tjetrin, jemi duke jetuar në mëkat.

Mëkati është sëmundja më e rënd dhe më e rrezikshme për njeriun, sëmundje e cila gërryen dalëngadalë jetën e njeriut, sëmundje e cila rrënon dhe shkatërron tërësisht jetën e njeriut.

Në Librin e Siracidit shkruan: “Mos bëj mëkat sepse s’do të mbetësh i pandëshkuar”.

Kurrë njëherë mos të themi:”Nuk kam mëkat, sepse gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne”, na porosit Shën Gjoni apostull.

Kur njeriu bëhet indiferent ndaj mëkatit, kur vetëdija për mëkatin është e ulët, dhe kur nuk ekziston frika ndaj mëkatit, mëkati e ka rrugën e lirë, derën e hapur për të depërtuar shumë lehtë në çdo shoqëri, familje dhe individ, për t’i arritur synimet dhe qëllimet e veta.

Shkrimi Shenjt na porosit: “Mos e bëj të keqen dhe e keqja s’do të gjejë, hiqu paudhësisë dhe ajo do të rrijë larg teje”(Sir 7,1).

Mbreti Arkadije kishte pyetur këshilltarët e vet, si t’i hakmerret Shën Gjon Gojartit, i cili e sulmonte ate për jetën e pandershme dhe të pamoralshme në pallatin mbretëror të tij.
Këshilltari i parë i tha: merrja gjithë pasurinë që ka!
I dyti i përgjigji: hidhe në burg
I treti: dërgoje në persekutim-përndjekje.
I katërti: mbyte!
I pesti u përgjigj: Mendoj se e kemi gabim të gjithë!
Nëse i’a merrni pasurinë. nuk ja keni marr atij, por të varfërve!
Nëse e hidhni në burg, ai do t’i gëzohet vuajtjes!
Nëse e dërgoni në persekutim-përndjekje, edhe aty do të jet i lumtur, sepse thotë se Zotin e ka kudo që është!
Nëse e mbytni, do ta bëni martirë dhe kështu do t’ia mundësoni Parajsën për të cilën jeton.
Këtë njeri vetëm një gjë mund ta bëjë që të mos jet i lumtur. Bëjeni që të mëkatoj, sepse ai njeri nuk i frikësohet askujt dhe asgjëje përpos mëkatit.

Në aspektin KOMBËTAR, edhe POLITIK, armiqtë e Kosovës do t’i gëzohen përçarjes sonë, sepse vetëm kjo do t’ju mundëson t’i arrijnë qëllimet e tyre në Kosovë.

Të përçarë, do t’ja mbyllim dyert të ardhmes sonë, për ta ndërtuar një Kosovë ku do të mbretërojnë vlerat shpirtërore dhe morale, ku do të respektohen të drejtat dhe dinjiteti i çdo njeriu, pa dallim. Një Kosovë ku do të lulëzoj paqja, mirësia dhe dashuria.

Zoti e bekoftë Kosovën.
Zoti i bekoftë udhëheqësit e saj.
Zoti e bekoftë gjithë popullin tonë shqiptar.
Zoti e zhduktë sa më parë nga gjithë globi tokësor pandeminë Covid 19.