Delegati apostolik (ambasadori i Vatikanit) viziton Kishen e Klines!

Famullia e Klinës ka pritur sot një vizitë të rëndësishme shpirtërore. Nunci Apostolik i Sllovenisë dhe Delegati Apostolik për Kosovën, Sh. T. Mons. Luigi Bianco, i shoqëruar nga Ipeshkvi i Dioqezës së Kosovës, Sh. T. Imzot Dode Gjergji, vizituan famullinë dhe besimtarët katolikë të Klinës.

Famullitari i Klinës, don Jeton Thaqi, bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se me Delegatin Apostolik ka ndarë informacione të gjera rreth historisë, gjendjes aktuale të famullisë, si dhe rrethanave në të cilat jetojnë besimtarët dhe qytetarët klinas.

Mons. Bianco siguroi lutjet, bekimin dhe mbështetjen morale të Atit të Shenjtë, Papa Leoni XIV, për gjithë famullinë e Klinës.

“E falënderojmë nga zemra barinjtë tanë shpirtërorë për mbështetjen dhe përkrahjen e tyre ndaj nesh,” shkroi famullitari don Thaqi.