Çdo gjë gati për mbrëmjen e boksit, Krasniqi i motivuar si kurrë më parë

Dueli “sy më sy” që zgjati për më shumë se 30 sekonda dhe brohoritjet “Robini, Robini!” të të pranishmëve në matjet zyrtare, ishin paralajmërim për një meç të fortë ndërmjet Robin Haxhi Krasniqit dhe Nadjib Mohammedit.

Pasi të premten kryen matjet dhe e shikuan mirë njëri-tjetrin, Krasniqi dhe Mohammedi do të ngjiten në ring të shtunën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Meçi i kategorisë gjysmë të rëndë do të jetë kryesori i mbrëmjes së boksit që nis në orën 19:00.

I pari që u peshua ishte boksieri francez, i cili peshoi 200 gramë më shumë se Krasniqi. Mohammedi pati 79.7 kilogramë, ndërsa Krasniqi 79.5 kilogramë. Pasi përfundoi matjen, duelin sy më sy dhe fotografimin, Krasniqi u bëri thirrje adhuruesve të boksit që ta mbushin stadiumin për ta përkrahur në meçin e 60-të në karrierë, të cilin synon ta fitoj. Ai insistoi se është plotësisht gati dhe i përgatitur në çdo aspekt.

“Unë jam i gatshëm më shumë se kurrë dhe i bëjë ftesë kombit shqiptar që mundësinë e ka që të shtunën të mbrëmje të më mbështet nga afër në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Kështu që shihemi të shtunën në mbrëmje dhe jam i gatshëm më shumë se kurrë”, porositi Krasniqi, duke ndezur atmosferën në sallën ku u bënë matjet. Fjalimi i tij u përshëndet me duartrokitje të forta.

Për Krasniqin është hera e parë që bokson në Kosovë. Thotë se po e realizon ëndrrën e kamotshme. Deri më tani Krasniqi në boksin profesionist ka 52 fitore prej të cilave 20 me nokaut. Ka pësuar shtatë humbje. Kundërshtari i Krasniqit, francezi Mohammedi, në 54 meçe të zhvilluara ka 45 fitore e 9 humbje.

Edhe Mohammedi dukej i motivuar dhe optimist gjatë matjeve zyrtare, që u mbajtën në Prishtinë.

Në mbrëmjen e boksit do të ketë edhe meçe të tjera. Janë edhe disa boksierë shqiptarë që synojnë fitore. Para meçit mes Krasniqit dhe Mohammedit do të zhvillohen edhe shtatë duele të tjera të kategorive të ndryshme.

Matjet zyrtare i bënë edhe boksierët e këtyre meçeve, që dukeshin të gatshëm për të boksuar para publikut kosovar.

Organizatorët e mbrëmjes theksuan se gjithçka është gati për këtë ngjarje, duke premtuar një natë madhështore në qiellin e hapur të Prishtinës.

Krahas Krasniqit publiku kosovar do ta ketë mundësinë të shoh nga afër edhe boksierët Dielli Vranovci, Valon Ahmeti, Isuf Kelmendi, Kushtrim Tahirukaj, James Kraft, Bernardin Jakaj e Armend Xhoxhaj. Kundërshtarët e tyre janë nga Turqia, Argjentina, Venezuela dhe Afrika e Jugut.