Bizneset protestojnë kundër vendimit të ZRRE-së, këto rrugë të Prishtinës do të bllokohen

Komuniteti i bizneseve sot do të mbajë protestë paqësore në Prishtinë, për rë kundërshtuar vendimin e fundit të ZRRE-së, lidhur me daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Sipas Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, ky vendim godet bizneset në vend dhe është marrë pa konsultim paraprak, shkruan IndeksOnline.

Protesta e sotme, ndonëse paqësore, është lajmëruar se do të bllokojë hyrjet e qytetit të Prishtinës, me mjete të rënda.

Kështu, protesta do të realizohet në Veternik, rrethin te Kazerma “Adem Jashari”, rrethi i Arbërisë dhe të Sharbanët në Vranjevc.

Për protestën është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

“Policia e Kosovës do të jetë e pranishme në terren dhe do të marrë të gjitha masat për mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si edhe menaxhimin e trafikut dhe orientimin e mjeteve në rrugë alternative”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ky është njoftimi i plotë:

Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë, njofton opinionin publik se më 29 maj 2025 (e enjte), nga ora 10:00 deri në 12:00, është paralajmëruar se do të mbahet një protestë e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), me pjesëmarrje të bizneseve të ndryshme.

Forma e paralajmëruar e protestës do të jetë qëndrim i qetë dhe bllokim i pjesshëm i rrugëve kryesore hyrëse për në Prishtinë, përmes vendosjes së automjeteve të rënda nga kompanitë pjesëmarrëse.

Pikat ku do të realizohet protesta janë:

•Veterniku – drejtimi për në hyrje të qytetit

•Rrethi te Kazerma – drejtimi Fushë Kosovë – Prishtinë

•Rrethi i Arbërisë – drejtimi Mitrovicë – Prishtinë

•Vranjevci – Sharbanët – drejtimi Podujevë – Prishtinë

Riorientimi i trafikut:

Policia e Kosovës do të jetë e pranishme në terren dhe do të ndërmarrë të gjitha masat për mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për menaxhimin e trafikut dhe orientimin e mjeteve në rrugë alternative.

Kërkohet mirëkuptim nga qytetarët për vonesat e mundshme dhe sugjerohet shmangia e këtyre rrugëve gjatë orarit të protestës.

Policia thekson se protesta është paralajmëruar në një periudhë të shkurtër dhe është zhvilluar takim koordinues me organizatorin, ku janë theksuar obligimet ligjore dhe kufizimet që ndalojnë bllokimin total të rrugëve.

Ftojmë qytetarët që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë në terren dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen paqësore të protestës dhe ruajtjen e sigurisë publike.