Serbia e liron pas 6 muajsh Blerim Maqestenën

Pas gjashtë muajsh autoritetet serbe kanë liruar nga burgu asamblistin e Partisë Socialdemokrate në Podujevë, Blerim Maqestenën,

Lajmin për lirimin e tij për Gazetën e ka konfirmuar zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi.

“Sipas informacioneve nga familja, Blerimi është liru”, tha Kuçi për Sinjalin.

Se Maqestena është liruar e kanë bërë të ditur edhe miqtë e tij.

“Më në fund u liru më i miri, shoku ynë, Blerim Maqestena”, ka shkruar Naim Bajrami në Facebook.

Maqestena ishte arrestuar nga policia serbe më 12 dhjetor të vitit të kaluar, afër fshatit Mirovc – Merdar, bashkë me bashkëfshatarin e tij, Berat Maxhunin.

Ata kishin dalë për ecje dhe dyshohet se për shkak të mjegullës kishin humbur rrugën dhe ishin futur në territorin e Serbisë.

Maxhuni ishte liruar dy ditë më vonë, në 14 dhjetor, ndërsa Maqestena po mbahej në paraburgim që nga ajo kohë.