Bizneset kërkojnë ndihmë institucionale për t’i larguar nga arkat e tyre paratë false

Bizneset në vend kërkojnë ndihmën e institucioneve shkaku që atyre u kanë mbetur shuma të mëdha të parave false, të cilat i kanë pranuar deri tash nga qytetarët. Rreth 30 mijë euro false i janë grumbulluar vetëm një biznesi në Ferizaj. Ekspertët e ekonomisë thonë se BQK-ja duhet të merret me seriozitet me këtë çështje.
Të gjitha këto para janë 2 euro false, që janë mbledhur nga qytetarët.

Sylejman Neziri, pronar i një marketi në Ferizaj, nuk po di se çka të bëjë me këto para false.

Ai thotë se për rreth 30 mijë eurot e pranuara muaj më parë nga konsumatorët pa i kontrolluar duhet të bëhet një zgjidhje nga shteti.

Tregon se ato nuk ia kanë pranuar bankat, por as Banka Qendrore e Kosovës nuk i është përgjigjur për ta gjetur një zgjidhje.

“Ka qenë një problem shumë i madh prej para 6 apo 7 muajve, por nuk kemi mundur ta vërenim, sepse kanë ardhur më pak, por gjatë 3 muajve të fundit është ndotur tregu në gjithë Kosovën, jo vetëm në marketin tim. Megjithëse m’u kanë bërë afër 30 mijë euro pare të metalta, kam edhe në Fushë-Kosovë, por edhe këtu. Konsumatori tash për tash nuk po i pranon 2 euro ndash jepja origjinale e ndash fals, ai thotë nuk i marr, sepse po frikohet dhe nuk ka faj”, thotë Neziri.

Eksperti i Ekonomisë, Adem Qorrolli, ka thënë se Banka Qendrore e Kosovës duhet të merret me seriozitet me çështjen e parave false.

Ai kritikon institucionet për reagim të vonuar për këtë fenomen.

“Banka Qendrore e Kosovës jo që duhet t’i pranojë, por realisht duhet edhe t’i kompensojë me monedha origjinale. Si e bën vlerësimin është kjo si gjobë në mosreagimin e tyre, sepse institucionet janë mbushur me persona joprofesionalë dhe joadekuatë në atë vend. E sidomos paralajmërimi i bizneseve dhe i qytetarëve ka qenë shumë i kamotshëm, por reagimi i tyre ka qenë zero”, tha Qorrolli.

Edhe qytetarët kohëve të fundit po hezitojnë t’i pranojnë nga bizneset 2 eurot me frikën se mund të jenë false.

“Disa të rinj po i vërejnë por plaku nuk po i vëren a është fals, ia qet dhe i merr, pastaj po bimë në konflikt me këta. Ne nuk po mundemi me mbajtë magnete nëpër gjepa”, theksoi qytetari Sali Guri.

Qytetarja Shyhrete Begisholli tha se kjo çështje duhet të zgjidhet nga shteti.

“Mendoj se duhet të zgjidhet kjo çështje nga shteti apo nga Banka Qendrore, për shkak se qytetarët po kanë problem se të hollat po i largojnë nga xhepi dhe kuletat e veta. Kështu që gjithqysh duhet të ndërmarrë shteti diçka për ta zgjidhur këtë problem. Sigurisht që edhe unë po kam probleme, sepse e kam një biznes, shitore, dhe qytetarët nuk po i marrin dy euro, sepse kanë bërë të tjerët apel që mos t’i marrin dhe patjetër duhet të merren masa ndaj këtij veprimi”.

Banka Qendrore e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHES lidhur me këtë çështje.

E në fund të muajit të kaluar Policia e Kosovës ka sekuestruar mbi 80 mijë euro me nga 2 euro false dhe janë arrestuar gjashtë persona nga Kosova e Maqedonia.