Bekim Jashari: Do të kandidoj përsëri për kryetar të Skenderajt

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka njoftuar se do të kandidojë përsëri për kryetar të komunës në zgjedhjet e ardhshme.

Jashari ka thënë se ri-kandidimi i tij edhe për një mandat për kryetar komune vjen nga kërkesat e qytetarëve të cilët kanë vlerësuar punën e tij.

“Edhe një mandat do ta kërkoj nga qytetarët, edhe ashtu është nevoja dhe kërkesa e qytetarëve, do të thotë duke e parë punën që kam bërë jo vetëm unë, por me komplet kabinetin dhe zyrtarët që punojnë në komunë dhe institucionin komunal, duke i përfshirë edhe njësitë që shërbejnë siç janë uniteti, ujësjellësi, zjarrfikësit, që iu shërbejnë qytetarëve, që të gjithë bashkërisht e kemi bërë një punë të mrekullueshme deri më tani. Po shpresoj që të kemi edhe një vit ende me punë shumë më të mira, sepse kemi shumë projekte që jemi duke u zhvilluar dhe po shpresoj që vitin e ardhshëm do të përfundojnë”, ka thënë Jashari.

Tutje, ai shtoi se vitin e ardhëm do të jetë më shumë prezent në media, megjithëse nuk pretendon të bëjë fushatë, pasi që siç thotë ai, qytetarët e Skenderajt e dinë ku kanë qenë dhe ku janë tani.

“Tash një vit do shihemi edhe në medie, nuk besoj që do të bëj ndonjë fushatë aq të madhe siç bëjnë dhe kanë bërë deri më tani partitë politike, sepse nuk besoj që do të ketë nevojë sepse këtë vend këtu, qytetarët e dinë më mirë ku kanë qenë dhe ku janë sot”, ka thënë Jashari.