Arrestohet i dyshuar për korrupsion dhe mashtrim në prokurim publik

Policia e Kosovës ka ndaluar një person të dyshuar për korrupsion dhe mashtrim në procedurat e prokurimit publik, pas një aksioni të zhvilluar nga Sektori për Hetime Financiare në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Hetimet e deritanishme çuan në kontrollin e disa lokacioneve, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren, ku u sekuestruan pajisje elektronike dhe dëshmi të tjera materiale që do të përdoren në procesin hetimor.

Gjatë kontrollit, në njërin prej lokacioneve u gjet edhe një armë zjarri me municion, për të cilën është hapur një rast i veçantë.

I dyshuari është marrë në pyetje në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.

Policia ka theksuar se, në koordinim të plotë me organet e drejtësisë, do të vazhdojë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve ligjore deri në sqarimin e plotë të rastit.