Ansambli dhe lojërat tradicionale të Rugovës nën mbrojtje të shtetit

Të veshur me rrobat e vjetra tradicionale, para 73 vitesh malësorët e Rugovës u zhdjergën poshtë nga treva malore. E krah tyre edhe malësoret dhe të gjithë bashkë të mbledhur në ansamblin e posa krijuar folklorik autokton Rugova filluan ta kërcejnë vallet e tyre të betejës, të dasmave, të nusërisë, të përcjella me ritmet e sules e tupanit, gavallit e lahutës, fyellit dhe fletave të lajthisë dhe u ngjiten së pari në skenat e trojeve shqiptare e pastaj edhe në skenat e vendeve të ndryshme në botë, duke treguar vlerat e mëdha të etnosit malësor, që kanë ruajtur dhe trashëguar me shekuj nga brezi në brez.

E gjithë kjo traditë e trashëgimisë së ruajtur me fanatizëm dhe e mbajtur gjallë që shtatë dekada me ansamblin dhe që tri dekada edhe me Lojërat Tradicionale Rugova, u kurorëzua të martën në fshatin Stankaj të Rugovës, me shpalljen trashëgimi shpirtërore të Ansamblit Folklorik Autokton Rugova, i themeluar në qershor të vitit 1947 dhe Lojërave Tradicionale Rugova.

Këtë lajm ua solli rugovasve në një aktivitet të shënimit të ditëve të trashëgimisë kulturore evropiane, ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në të cilin aktivitet, ndër të tjerë, të pranishëm ishin edhe kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri dhe ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj.

Me këtë vendim, për të cilin ansambli Rugova i dhuroi ministres një mirënjohje, statusin e mbrojtës së përkohshme si trashëgimi shpirtërore e materiale e ka marr njëkohësisht edhe Ansambli Folklorik Autokton Rugova.

Tash trashëgimia shpritnore që përfaqëson ky ansambël merret nën mbrojtje institucionale. Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore “trashëgimia kulturore shpirtërore përfshin format e shprehjes kulturore të traditave popullore, zakonet, gjuhën, festat, ritet, vallet, muzikën, këngët dhe zejet artistike.

Shpallja trashëgimi shpirtërore e materiale, ka rëndësi të veçantë për vetë anëtarët dhe drejtuesit e këtij ansambli, pasi ka 20 vjet që ata kanë kërkuar vazhdimisht nga institucionet shtetërore që ta fusin nën ombrellën e tyre ansamblin dhe lojërat e Rugovës, pasi që ka disa vite që ky ansambël edhe rrezikonte ekzistencën e vet për shkak të mungesës së mjeteve financiare.

Sipas drejtuesit të ansamblit Rugova, Vesel Nikçi, tash e tutje Ministria e Kulturës është e obliguar që të ndajë buxhet vjetor për ansamblin dhe lojërat tradicionale.

E ndërkohë, siç tha Nikçi do të kërkohet që vallja e Rugovës të futet nën mbrojtje të UNSECO-s, pasi sipas tij është një valle e bartur brez pas brezi, e pa prekur nga dora e koreografisë.

Opusin e Ansamblit të Rugovës e përbëjnë, pesë rite, katër valle, 19 këngë, 22 lojëra, 23 instrumente, 76 orendi, 214 pjesë të veshjeve të burrave, 256 pjesë të veshjeve të grave, 88 pjesë të veshjes së vajzave dhe 117 pjesë të veshjes së djemve.