Ankesat për faturat e larta të rrymës, KMDLNJ kërkon që Prokuroria të nis hetime urgjentisht

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka dalë me një reagim pas ankesave të qytetarëve për faturat e larta të energjisë elektrike për këtë muaj.

Nga KMDLNJ i kanë quajtur si “jonormale” faturat e këtij muaji, derisa i kanë kërkuar Prokurorisë së Shtetit që të nis hetime urgjentisht.

Faturat për rrymë të muajit dhjetor për shumicën e qytetarëve dallojnë shumë nga ato të muajit të kaluar, janë 100 % e më shumë më të larta. Në ndërkohë askush nuk ka njoftuar për rritje eventuale të çmimit të energjisë elektrike sikur që edhe temperaturat nuk kanë qenë të larta për të shpenzuar energji shtesë. Po në të njëjtën kohë serbët dhe banorët tjerë të veriut të Kosovës vazhdojnë të mos i paguajnë faturat për rrymën e shpenzuar sikur që rrymën e shpenzojnë pa asnjë kufizim. Qeveria e Kosovës në rastin konkret po zbaton standarde të dyfishta duke favorizuar serbët e veriut pasi ua paguan rrymën dhe duke i ndëshkuar konsumatorët e rregulltë me një rritje aq të madhe dhe për këtë as që ka reaguar”, thuhet në reagim.