Aliu për emërimet në borde: Nuk janë militantë, që pak muaj janë bërë pjesë e LVV-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka reaguar pas raportimeve se kjo parti ka emëruar “militantë” në borde të ndërmarrjeve publike.

Aliu përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social Facebook, ka thënë se emrat e përmendur për punësim nën emërimin ”militantë” nuk qëndron, transmeton Gazeta Sinjali.

“Konotacioni që i jepet fjalës militant për të sulmuar angazhimin në borde të përkohshme si profesionistë, të dy personave që pak muaj janë bërë pjesë e Lëvizjes është i pasinqertë”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.

Qeveria në detyrë mbërmë shkarkoi Bordin e Ujësjellësit si dhe të Postës së Kosovës, ku me po të njëjtin vendim emëroi edhe Bordet e Përkohshme në mesin e të cilave ishin edhe aktivistët e kësaj partie, Artan Dermaku, Kujtim Shala dhe Mentor Hyseni.

Shkrimi i plotë i Liburn Aliut në Facebook:

Aktivistin askush nuk ka të drejtë ta poshtërojë. Aktivisti është person me të drejta të plota, i cili angazhohet me gjithë shpirt për një ide të caktuar. Por kjo nuk ia ul aftësitë profesionale apo akademike. Nuk është fajtor aktivisti për korrupsionin dhe kapjen e shtetit. Kapjen e shtetit dhe korrupsionin i bën hajduti, mercenari e krimineli, jo ai qe militon për një ideal.

Po ashtu, as profesionistin nuk ka të drejtë askush ta poshtëroje. Të qenit profesionist nuk e bën atë të pandjeshëm politikisht, neutral dhe steril. Profesionisti është qytetarë në radhë të parë, ai ka të drejtë të anëtarësohet në çdo parti dhe për çdo ideal, pa patur nevojë të sakrifikojë punën e vet.

Duke dënuar aktivistët me papunësi dhe duke dënuar profesionistet me depolitizim, përfundojmë me skizofreni ne diskutimin tonë publik, ku politikanët kërkojmë të jenë njerëz pa profesione, d.m.th. të paaftë, e ku profesionistët duhet të jenë të heshtur sepse s’duhet të mbajnë qëndrime politike, d.m.th. memecë.

Një gjë për fund, dy emrat e përmendur për punësim nën emërimin ”militantë” nuk qëndron. Konotacioni që i jepet fjalës militant për të sulmuar angazhimin në borde të përkohshme si profesionistë, të dy personave që pak muaj janë bërë pjesë e Lëvizjes është i pasinqertë.