Alarm në fermën e Tahir Berishës në Gjurgjevik të Madh: Ngordhin 3 lopë, shkak i panjohur

Një situatë shqetësuese është raportuar në fermën e Tahir Berishës në fshatin Gjurgjevik i Madh të Komunës së Klinës, ku që nga dita e djeshme kanë ngordhur tre krerë lopë, ndërsa shkaku mbetet ende i paqartë.

Sipas pronarit të fermës Tahir Berishes, pas rasteve të ngordhjes, në fermë kanë ardhur pesë mjekë privatë veterinarë, të cilët kanë marrë mostra për analiza dhe i kanë dërguar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK).

Megjithatë, deri në këtë moment, rezultatet zyrtare ende nuk janë kthyer.

“Jemi shumë të shqetësuar dhe të frikësuar për bagëtinë tjetër, sepse ende nuk dimë se çfarë e shkaktoi ngordhjen,” ka deklaruar ai prapa kamerës për Klina Info.

Në vendngjarje kanë dalë edhe inspektorët komunalë, të cilët kanë mundësuar varrosjen e kafshëve të ngordhura sipas procedurave.

Ndërkohë, edhe disa fermerë të tjerë të fshatit kanë shprehur frikën se rasti mund të përhapet, pasi ende nuk është identifikuar arsyeja e sëmundjes.

Fermeri Tahir Berisha zotëron mbi 20 krerë lopë, dhe rasti ka ngjallur frikë dhe pasiguri tek banorët e zonës.