Aktakuzë ndaj Tush Frrokut për vrasjen e dhëndrit me shtatë plumba

Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzën ndaj të akuzuarit Tush Frroku, për vrasjen e rëndë në Klinë ndaj mikut e njëkohësisht dhëndrit të tij. Ai po ngarkohet edhe për tri vepra tjera përfshirë “armëmbajtje pa leje”, “shtrëngim” dhe “marrje në posedim të pasurisë së luajtshme”.

Seanca fillestare në këtë rast pritet të mbahet në fund të muajit mars të këtij viti pranë Gjykatës Themelore në Pejë.

Sipas aktakuzës, Frroku, po akuzohet se më 7 gusht 2023, ka privuar nga jeta Anton Prelën, si dhe vë në rrezik jetën e personave të tjerë, duke shtënë shtatë herë me revole në drejtim të viktimës.

Në aktakuzë thuhet se pas kryerjes së veprës penale, “i akuzuari Frroku në ditën kritike, del në sheshin “Nëna Terezë”, e ndalon veturën Golf VI, të cilën e voziste i dëmtuari A.T., ku edhe i drejton pistoletën “Sig Sauer”, dhe nën kërcënimin e armës duke ia drejtuar e detyron që ta voziste veturën në drejtim të fshatit Zllakuqan. Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari kishte frenuar veturën dhe ishte larguar ku më pas i akuzuari kishte marrë veturën dhe ishte arratisur.”, raporton Betimi për Drejtësi.