Agim Fejzullahu: Takim me Fehmi Mujotën, një nga figurat kyçe të luftës dhe ndërtimit të shtetit

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Agim Fejzullahu, me numrin 72 në listën zgjedhore, ka kujtuar periudhën e luftës dhe kontributin e veprimtarëve që dhanë gjithçka për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke veçuar takimin e tij të sotëm me Fehmi Mujotën, epror i lartë i Komandës së UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes, ish-ministër i parë i FSK-së dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Gjatë kohës së luftës e deri në përfundimin e saj, kam pasur nderin të njihem dhe të veproj përkrah shumë veprimtarëve, atdhetarëve, intelektualëve dhe liribërësve. Shumë prej tyre sot janë dëshmorë e heronj të kombit, ndërsa të tjerë, edhe pas luftës, kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë në ndërtimin dhe forcimin e institucioneve të vendit. Njëri prej tyre është Fehmi Mujota, të cilin pata kënaqësinë ta takoj sot pas një kohe të gjatë. Shkëmbyem përvoja, kujtuam kohët e shkuara dhe reflektuam mbi rrugëtimin tonë të përbashkët,” ka deklaruar Fejzullahu.

Ai theksoi se figura si Mujota mbeten shembull i përkushtimit dhe përgjegjësisë ndaj shtetit dhe brezave të ardhshëm.