Në Ditën e Tokës, Komuna e Klinës mbjell pemë në parkun ‘Ilir Merturi’”

Me rastin e shënimit të Dita Ndërkombëtare e Tokës, në Komunën e Klinës është organizuar një aktivitet simbolik për mbrojtjen e mjedisit.

Kryetari i Komunës, Zenun Elezaj, së bashku me Drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Emergjente, Qendrim Millaku, Drejtorin e KRM “Ambienti”, Idriz Beqiri, si dhe drejtorë të tjerë komunalë, kanë realizuar mbjelljen e pemëve dekorative në parkun e qytetit “Ilir Merturi”.

Gjatë këtij aktiviteti u theksua rëndësia e kësaj dite, e cila shërben si kujtesë për mbrojtjen e natyrës dhe ruajtjen e pasurive natyrore. Përfaqësuesit komunalë u shprehën se kujdesi për ambientin është një përgjegjësi e përbashkët që duhet të bartet tek të gjitha gjeneratat.

Nga Komuna e Klinës u bë e ditur se institucionet lokale do të vazhdojnë angazhimin për një mjedis më të pastër dhe më të gjelbër, në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët.

Me këtë rast, u bë thirrje që të gjithë qytetarët të kontribuojnë në ruajtjen e ambientit dhe të jenë pjesë aktive në iniciativa të tilla që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës.