27 vite dhimbje për Shpresa Krasniqin, heroina që nuk u dorëzua kurrë

Kanë kaluar plot 27 vite nga rënia heroike e Shpresa Krasniqit nga Klina, por dhimbja dhe kujtimi për të mbeten ende të freskëta në zemrat e atyre që e njohën dhe në ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve.

Në fshatin Lugbunar të Gjakovës, në vendin ku ajo u vra mizorisht, është vendosur një pllakë përkujtimore mbi një gur, ku është skalitur emri i saj dhe një mbishkrim që të ther në shpirt:
“Këtu në kolonën e të përndjekurve të vrau dora e zezë barbare serbe, pasi nuk iu dorëzove gjakpirësve duke mbrojtur moralin dhe nderin e shqiptarëve”.

Ishte një ditë e errët, 27 vite më parë, kur kolona e shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre ishte nisur drejt Shqipërisë. Në mesin e tyre ishte edhe Shpresa, një vajzë e re, me ëndrra dhe jetë përpara. Por në këtë rrugë të dhimbshme, ajo u përball me barbarinë.

Ajo u urdhërua të zbriste nga traktori, me qëllim që të merrej nga forcat serbe dhe të abuzohej. Por Shpresa nuk u dorëzua. Me gjithë forcën e saj, ajo kundërshtoi, u përlesh, luftoi deri në frymën e fundit për të mbrojtur dinjitetin e saj.

Plumbat që iu drejtuan trupit të saj nuk shuan vetëm jetën e një 23-vjeçareje, por lanë një plagë që nuk mbyllet kurrë.

Dëshmitë e asaj dite mbeten rrëqethëse. Profesori Pashk Gecaj ka rrëfyer për skenat makabre që kishte parë familja e tij, ndërsa familjarët e Shpresës – e vetmja motër e pesë vëllezërve – vazhdojnë të jetojnë me mungesën dhe dhimbjen që koha nuk e shëron.

Sot, pas 27 vitesh, një rrugë në Lugbunar mban emrin e saj. Por më shumë se një emër në gur apo në tabelë, Shpresa Krasniqi mbetet një plagë e hapur dhe një simbol i qëndresës, i sakrificës dhe i nderit që nuk u përkul kurrë./Klina info