Kryetari Elezaj jep lajmin e madh: Pas 20 vitesh rikthehet Radiologjia në QKMF-në e Klinës

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka bërë të ditur një zhvillim të rëndësishëm në sektorin e shëndetësisë lokale, duke njoftuar rifillimin e shërbimit të Radiologjisë në QKMF “Nënë Tereza”, pas një ndërprerjeje prej dy dekadash, transmeton KLINA info.

Sipas tij, ky është një hap i madh për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në komunë dhe një standard i ri për shërbimet që u ofrohen qytetarëve.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë drejtori i Shëndetësisë, Agron Bacaj, drejtori i QKMF-së, Prof. Ass. Dr. Gazmend Bojaj, si dhe mjekët Hetem Tafilaj dhe Haxhi Ibishi, së bashku me stafin shëndetësor.

Nga tani, qytetarët e Klinës do të kenë mundësi të kryejnë shërbime të ndryshme diagnostike brenda këtij institucioni, përfshirë ultrazër për gjithë trupin, mamografi, rentgenografi dhe ekzaminime të tjera të nevojshme.

Elezaj theksoi gjithashtu se në QKMF po vazhdon një punë profesionale edhe në sektorë të tjerë, si ai i stomatologjisë, ku gjatë këtij viti mbi 1000 pacientë kanë përfituar shërbime.

Ai shtoi se investimet në shëndetësi do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me synim pajisjen me teknologji moderne dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët e komunës së Klinës.