Policia jep detaje për krimin e rëndë në Majac, që la të vdekur dy persona

Policia e Kosovës ka dalë me detaje zyrtare lidhur me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Majac të Podujevës, ku mbeten të vdekur dy persona dhe një i plagosur.

Sipas hetimeve fillestare, e dyshuara Ardita Gashi dyshohet se fillimisht ka vrarë Ilaz Brahimin, më pas ka plagosur rëndë gruan e axhës, Miradije Gashi dhe në fund ka qëlluar edhe veten, transmeton IndeksOnline.

Ngjarja është raportuar të dielën rreth orës 18:40, pasi policia ka pranuar informacion për një person pa shenja jete brenda një veture në Majac. Njësitet policore, hetimet dhe forenzika kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, bashkë me ekipet mjekësore dhe prokurorin kompetent.

Në vendngjarje është gjetur një veturë e bardhë (VW) me targa lokale, në të cilën ndodhej një mashkull kosovar pa shenja jete, i cili më pas është identifikuar si viktima Ilaz Brahimi nga Obiliqi.

Gjatë hetimeve, policia ka siguruar informacione se një person i armatosur ndodhej brenda një shtëpie dhe refuzonte komunikimin, duke paraqitur rrezik për veten dhe të tjerët. Për këtë arsye janë angazhuar Njësia Speciale Intervenuese dhe negociatorët policorë.

Pas ndërhyrjes në shtëpi, policia ka gjetur dy gra të plagosura rëndë, të cilave u është dhënë ndihma e parë dhe më pas janë dërguar në QKUK për trajtim.

Ndërkohë, Instituti i Mjekësisë Ligjore ka bërë tërheqjen e trupit të pajetë nga vendi i ngjarjes.

Sipas njoftimit shtesë të policisë, sot rreth orës 03:35, Miradije Gashi ka ndërruar jetë në QKUK, duke e çuar në dy numrin e viktimave nga ky rast.

Me urdhër të prokurorit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, rasti është ricilësuar si “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti tragjik janë duke vazhduar