Komuna e Klinës në 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së me homazhe dhe aktivitete përkujtimore

Me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Komuna e Klinës ka organizuar aktivitete përkujtimore në nderim të dëshmorëve dhe martirëve të kombit.

Epopeja e UÇK-së, e shënuar më 5, 6 dhe 7 mars 1998, si dhe rënia heroike e komandantit legjendar Adem Jashari së bashku me familjen Jashari, mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës, duke simbolizuar qëndresën, sakrificën dhe përkushtimin për liri.

Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore, më 5 mars ora e parë mësimore në të gjitha shkollat e Komunës së Klinës do t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së.

Ndërkaq, homazhet do të mbahen të premten, më 6 mars, sipas këtij orari:
• 09:30 – Homazhe pranë shtatores së Mujë Krasniqit – Komandant Kapuçit, në Klinë
• 09:45 – Homazhe në Kompleksin Memorial “Kodra e Kuqe”, te varrezat e dëshmorëve në Grabanicë

Komuna e Klinës ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në këto aktivitete për të nderuar sakrificën e të rënëve për lirinë e vendit.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!