Hoxha i Klinës Blerim Musliu: Iftari me djelmoshat e fshatit më bën të ndihem më së miri

Imami i Klinës, Blerim Musliu, ka ndarë një mesazh dhe pamje emocionuese të iftarit tradicional me djelmoshat e fshatit, duke theksuar se ky aktivitet po organizohet për të nëntin vit me radhë dhe tashmë është shndërruar në një traditë të bukur bashkimi.

Sipas tij, kjo mbrëmje kishte një domethënie të veçantë, pasi shumica e të rinjve janë rritur bashkë dhe sot janë bërë të suksesshëm e aktivë në shoqëri.

“Iftari me këta djelmosha më bën të ndihem më së miri. Ndoshta sepse jemi rritur bashkë dhe sepse ky organizim po vazhdon tash e nëntë vjet, duke dëshmuar se nga pak janë bërë shumë – dhe shumë të frytshëm në shoqëri”, ka shkruar Musliu.

Në këtë iftar morën pjesë edhe përfaqësues të strukturave komunale, të udhëhequra nga kryetari i Komunës Zenun Elezaj, si dhe drejtues të Këshilli i Bashkësisë Islame në Klinë.

Musliu theksoi se momentet e përbashkëta gjatë iftarit janë shembull i vlerave të solidaritetit dhe afrimit mes njerëzve, pa interesa materiale.

Postimin e tij e ka përmbyllur me lutjen:

“Zoti na i bashkoftë zemrat dhe ambiciet e përbashkëta!”